Nga James Stavridis, Bloomberg
Gjatë viteve të mia në komandën e NATO-s, unë zhvillova një respekt të madh për Evropën si një partnere e SHBA-së. Jo vetëm përmes pjesëmarrjes në NATO, por më fuqimisht përmes vlerave të përbashkëta, përfshirë lirinë personale, atë të shtypit dhe tregtinë e ndershme.
Aleanca transatlantike ishte në partneritet jo vetëm në operacionet ndërkombëtare, nga paqe-ruajtja në Bosnjë, lufta e përbashkët në Afganistan, por gjithashtu edhe në adresimin e problemit të ndryshimeve klimatike përmes Marrëveshjes së Parisit.
Sigurisht, kjo marrëdhënie e ekuilibruar, është prishur nga Brexit dhe politika e jashtme e “Amerika e Para” e presidentit amerikan Donald Trump. Me përfundimin e zgjedhjeve në SHBA, dhe me kalimin në administratën e Joe Biden, do të dominojë ndjesia se ne duhet të rindërtojmë marrëdhëniet SHBA-Evropë.
Dhe unë pajtohem me këtë propozim të thjeshtë. Megjithatë do të ishte gabim, të synojmë rikthimin në botën e administratës së Barack Obamës, dhe në rivendosjen e politikave të 4 viteve më parë. Evropa është sot një vend i ndryshëm nga sa ishte para Brexit dhe epokës Trump.
Që të maksimizohen përfitimet në të dyja anët e Atlantikut, Uashingtoni duhet të gjejë mënyra të reja për t’iu qasur grupit të tij më të vlefshëm të partnerëve të tij. Së pari, nevojat e SHBA-së kërkojnë një politikë të jashtme të diferencuar ndaj kombeve individuale evropiane apo rreshtimeve rajonale.
Ndonjëherë tek fjalët që shpesh i atribuohen shpesh Henry Kissinger (por të cilat ai i mohon t’i ketë thënë), ka diçka të vërtetë:Cilin mund të telefonoj, nëse dua të komunikoj me Evropën?
Projekti Evropian bashkon më shumë se 30 kombe shumë të ndryshme sovrane. Disa janë anëtare të NATO-s, por jo të Bashkimit Evropian (për shembull Islanda dhe Norvegjia); të tjerat anasjelltas (Austria, Finlanda dhe Suedia). Disa janë plotësisht neutrale (Zvicra) në politikën e tyre të jashtme.
Ekzistojnë ndërkohë mosmarrëveshje në lidhje me përdorimin e monedhës së përbashkët, teksa shumë vende janë jashtë të ashtuquajturës eurozonë. Në mendjet e shumë analistëve, Turqia nuk mbetet as brenda dhe as jashtë Evropës. Dhe largimi i Britanisë së Madhe nga BE, tregon se sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat.
Administrata Biden, ka të ngjarë të tundohet të punojë me BE-në si një e tërë. Dhe në një farë mase kjo është e kuptueshme. BE-ja drejtohet aktualisht nga Ursula Von Der Leyen, ish-ministre gjermane e Mbrojtjes, me të cilën unë kam punuar shpesh kur isha në NATO.
Ajo është e zgjuar, e ndjeshme, dhe zotëron instinkte politike të mira. Fuqia kolektive e kombeve të BE – madje edhe me largimin e britanikëve – është shumë e madhe, gjë që mund t’i bëjë politikë-bërësit amerikanë të ndiejnë, se është më efikase që të merren në një mënyrë të unifikuar me bllokun.
Por një qasje më e mirë do të ishte pjesërisht ajo rajonale, duke e pranuar për shembull që evropiano-lindorët, kanë disa nevoja apo ndjeshmëri të ndryshme apo sesa kombet nordike. Po kështu, niveli ekonomik i anëtarëve jugorë të BE-së si Greqia, Italia dhe Spanja, që të gjitha sot në vështirësi, ndryshon nga qendra më e qëndrueshme franko-gjermane e kontinentit.
Së dyti, ekipi i Biden duhet që të ringjallë partneritetin e propozuar Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, që u la pas dore nga administrata Trump. Kjo nismë do të zhdukte pengesat, dhe do të rriste sigurinë ligjore, midis masave të tjera, duke krijuar zonën më të madhe të tregtisë së lirë në histori.
Megjithëse nuk do të mungonin debatet (sidomos në Evropë, ku disa kombe kanë frikë nga konkurrenca), ajo do t’i siguronte aleancës perëndimore një ekuilibër të Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal në Azi, që do të dominohet nga Kina.
Pastaj është marrëveshja bërthamore e Iranit, në të cilën janë palë edhe Britania, Franca dhe Gjermania. Rruga më e lehtë mund të jetë thjesht rikthimi tek pakti, diçka që evropianët ka të ngjarë ta dëshironin, dhe për të cilën Biden foli gjatë fushatës.
Por duke pasur parasysh një mori ngjarjesh dhe rrethanash të reja – përfshirë vrasjet e gjeneralit Qasem Soleimani në janar, dhe të një shkencëtari të njohur bërthamor javën e kaluar; një rritje të konsiderueshme në madhësinë dhe pasurimin e rezervave bërthamore të Iranit; dhe faktin që pjesë të marrëveshjes tashmë po i afrohen datave të kadencës – do të kishte më shumë kuptim që të punohej drejt arritjes së një marrëveshjeje të re.
Dhe për ta bërë këtë, ekipi i Biden duhet të shkojë në fillim jo në Teheran, por në Bruksel. Prandaj SHBA-ja dhe partnerët evropianë, mund t’i qasen Iranit me një qëndrim të unifikuar. Së katërti, ka shumë kuptim edhe një qasje e re për klimën. Emërimi i ish-Sekretarit të Shtetit John Kerry si “i dërguari” i Biden mbi këtë çështje, sjell në krye të kësaj çështje një udhëheqës me staturën dhe përvojën e duhur. Por një ri-angazhim mbi këtë çështje, duhet të përfshijë më shumë sesa thjesht ribashkimin me Marrëveshjen e Parisit.
Ajo duhet të përfshijë bashkëpunimin me Evropën për të udhëhequr përpjekjen globale.
Së fundmi, çështja kryesore me të cilën përballet bashkësia ndërkombëtare, është mundësia e që SHBA-ja dhe Kina të zhyten në një Luftë të re të Ftohtë. Mënyra më e mirë për ta shmangur atë, do të ishte që Uashingtoni të punojë ngushtësisht me Evropën mbi shumë nga pikat që shkaktojnë fërkime në marrëdhëniet midis dy superfuqive:tregtia e lirë, vjedhja e pronësisë intelektuale, mosmarrëveshjet mbi Detin e Kinës Jugore dhe sulmet kibernetike.
Le të jemi të sinqertë:Në të ardhmen e afërt, ringjallja e marrëdhënieve me Evropën, do të jetë një prioritet më i vogël sesa përballja me Covid-19 brenda SHBA-së, dhe përballja me Kinën në arenën ndërkombëtare.
E megjithatë, ajo duhet të jetë ndër të parat në listë. Motoja e Komandës Evropiane të ushtrisë amerikane është me 2 fjalë të thjeshta, që i zgjodhëm mbi një dekadë më parë:”Të fortë së bashku!”. Është një e vërtetë, të cilën administrata Biden do të bënte mirë ta mbante vath në vesh.
Përktheu: Alket Goce-ABC News
Shënim: James Stavridis, është një admiral në pension i Marinës Amerikane, ish-komandant suprem i forcave amerikane në NATO, dhe dekan i Shkollës Fleçer për Drejtësi dhe Diplomaci në Universitetin Tafts.