Eksportuesve turq po u mohohet qasja në tregjet e Lindjes së Mesme për shkak veprimeve të Arabisë Saudite dhe Egjiptit në përgjigje të asaj që analistët e përshkruajnë si politikë të jashtme agresive të Turqisë. Por me një ekonomi të shkatërruar nga Covid-19, Ankaraja po përpiqet të riparojë marrëdhëniet diplomatike me vendet e rajonit të Lindjes së Mesme.
Kompanitë turke si kompania e prodhimit të kaldajave industriale, Erensan, po paguajnë një çmim të rëndë për marrëdhëniet gjithnjë e më të acaruara të Ankarasë me vendet e rajonit të Lindjes së Mesme.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Erensan, Ali Eren thotë se navigimi në ujërat gjithnjë e më të turbulluar të diplomacisë ndërkombëtare është tani çelësi kryesor i biznesit për të mbijetuar.
“Për shkak të marrëdhënieve jo të mira me Arabinë Saudite dhe Egjiptin, ne kemi filluar të zhvendosim fokusin nga Lindja e Mesme në Indonezi dhe Bangladesh, vende të cilat ofrojnë tregje më të mira për ne. Por kjo nuk bëhet automatikisht sepse duhet të punojmë së pari për të gjetur hapësirë në treg”, tha për Zërin e Amerikës Ali Eren, shefi ekzekutiv i kompanisë Erensan.
Njoftimet e një bojkoti saudit të tregtisë kanë goditur industrinë e tekstilit në Turqi, e cila furnizon disa prej markave më të mëdha ndërkombëtare.
Bojkoti është pjesë e rivalitetit në rritje dhe të hidhur midis Turqisë dhe Arabisë Saudite për dominimin e rajonit.
Por duke marrë parasysh goditjen që ka pësuar ekonomia turke nga koronavirusi, Turqia dhe Arabia Saudite tani po zotohen të punojnë së bashku për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.
“Turqia po vuan nga efekti negativ i pandemisë së koronavirusit, kështu që ekonomia turke po kalon një periudhë të vështirë. Turqia shpreson se afrimi me Arabinë Saudite do të ndihmojë ekonominë të rritet përsëri. Për gati një vit, Arabia Saudite ka bojkotuar mallrat dhe produktet turke”, thotë Emre Caliskan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.
Turqia dhe Arabia Saudite në të kaluarën kanë patur lidhje të ngushta ekonomike, dhe Rijadi ka qenë një investitor i rëndësishëm në Turqi. Një rivendosje e marrëdhënieve të Turqisë me Arabinë Saudite mund të jetë gjithashtu një katalizator për një fillim të ri me pjesën tjetër të botës.
“Udhëheqja turke dhe sauditët e ndjejnë nevojën për të rivlerësuar situatën dhe për të filluar një dialog të ri. Ndoshta ky mund të jetë fillimi i një normalizimi të marrëdhënieve edhe me Kajron”, thotë ish-ambasadori turk, Mithat Rende.
Ali Eren vazhdon të ndjejë koston tek biznesi i tij i kaldajave, të shkaktuar nga izolimi i Turqisë.
“Egjipti ka qenë një humbje për ne, por ne nuk jemi të shqetësuar. Do kthehemi atje përsëri sepse politika ndryshon”, thotë ai.
Ndërsa Turqia lufton me një rritje të infeksioneve me Covid-19, për kompanitë e varura nga tregtia ndërkombëtare si Erensan, riparimi i marrëdhënieve të dëmtuara është i domosdoshëm dhe duhet të ndodhë sa më shpejt.