Ballina Aktualitet Vjosa Osmani: Rama tregoi veten e vet, unë në Tiranë erdha si...

Vjosa Osmani: Rama tregoi veten e vet, unë në Tiranë erdha si presidente e Kosovës, jo si Vjosa. Falënderoj Metën si më priti (VIDEO)

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani në përfundim të vizitës së saj në Shqipëri dha një intervistë në studion e “ABC”.

Ajo u shpreh e pakënaqur me pritjen e bërë nga Edi Rama, por tha se secili tregon veten e vet, edhe pse ajo në Tiranë ka ardhur si president e Kosovës, jo si Vjosa Osmani.

“Protokolli është i qartë për pritjen që duhej të më bëhej, por është zgjedhje e zotit Rama në këtë rast dhe duhet të pyetet ai pse e ka bërë një gjë të tillë.

Unë kam përfaqësuar jo veten time si Vjosa Osmani por dy institucionet më të larta të Kosovës dhe qytetarët e Kosovës.

Natyrisht miqësinë dhe mikpritjen më të madhe ne e mirëpresim në Shqipëri, sikur e kemi bërë edhe ne në Kosovë.

Pavarësisht cili politikan shqiptar ka ardhur në Kosovë, ne i kemi ofruar mikpritjen më të ngrohtë, që mund t’ia ofrojnë motra motrës apo vëllau vëllaut.

Pse një institucion më ka pritur ndryshe, një tjetër ndryshe, është cështje që duhet shtruar me ta” tha ajo.

Ndërsa në një konferencë për mediat në Kosovë pas vizitës në Tiranë ajo u shpreh se se nuk ka vërejtur asnjë tension gjatë vizitës së saj triditore në Tiranë.

Sipas saj, ajo ka shkuar për të kërkuar ndihmë, pasi Kosova gjendet në një fazë të vështirë të ballafaqimit me Gjykatën Speciale, ndërsa shtoi se nuk ka asgjë që mund të tensionojë kryeministrin Edi Rama, dhe se në Shqipëri ka shkuar si përfaqësuese e Kosovës.

“Unë nuk kam vërejtur asnjë tension, kam pasur një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë, një mikpritje shumë domethënëse me presidentin Meta, i cili edhe më ka ftuar ta bëjë këtë vizitë.

Kemi pasur takim shumë substancial me të, dhe jo vetëm ne të dy por edhe ekipet tona kanë pasur mundësinë të diskutojnë bashkëpunimin tonë dhe domosdoshmërinë që nga çështja e pandemisë, vaksinat që duhet të furnizoheshim, e deri te tema e dialogut, delegacioneve, vizitave, temat që ne i shtrojmë në këto vizita. Gjithçka kemi diskutuar në rrethana mikpritëse të jashtëzakonshme”, theksoi ajo.

Osmani theksoi se nuk ka marrë përgjigje nga kryeministri Edi Rama lidhur me rezolutën për gjenocidin, duke shtuar se këtë përkrahje e mori nga presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

“Çfarë raporti kam me zotëri Rama në baza personale është tërësisht e pa rëndësishme. Unë këtu nuk jam në cilësinë personale, kam ardhur në cilësi zyrtare, si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, si ushtruese e detyrës së presidentit, dhe si kryetare e Kuvendit.

Pse nuk ka ardhur, sërish do të duhej të përgjigjej vetë kryeministri Rama, dhe do të duhej të komentohej ajo. Ajo çfarë kam thënë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në konferencë për shtyp nuk ka asgjë të pavërtetë, dhe nuk ka arsye që të tensionojë në radhë të dytë.

Në qoftë se ne dëshirojmë që të përparojmë në raportet tona, nëse ne dëshirojmë që të jemi më efektiv në këtë bashkëpunim, në qoftë se ne dëshirojmë që zëri ynë të dëgjohet më shumë, zërat duhet t’i bashkojmë. Dhe ky ka qenë qëllimi që nga dita e parë, dhe kjo do të jetë edhe tash e tutje”, u shpreh Osmani.