Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha të hënën se shumë nga agjencitë e sigurisë kombëtare në vend janë “boshatisur” gjatë administratës së Presidentit Trump dhe se mungesa e informimit të ekipit të tij nga administrata aktuale është “papërgjegjshmëri”.
“Kemi ndeshur pengesa nga udhëheqja politike e Departamentit të Mbrojtjes si dhe Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Menaxhimin dhe Buxhetin,” tha zoti Biden pas një mbledhjeje me ekipin e tij për politikën e jashtme.
“Për momentin, nuk po marrim informacionin që na nevojitet nga administrata aktuale në aspekte kyçe të sigurisë kombëtare. Kjo nuk është asgjë më pak se papërgjegjshmëri,” tha ai.
Zoti Biden foli gjithashtu edhe për incidentin e Krishtlindjes në Neshvill të shtetit Tenesi.
“Shpërthimi na kujton forcën shkatërrimtare të një individi apo grupi të vogël dhe vigjilencën që kërkohet nga të gjithë”.
Demokrati Joe Biden mundi presidentin në zgjedhjet e 3 nëntorit, por ekipi demokrat filloi takimet dhe informimin nga administrata aktuale për koordinimin e transferimit të pushtetit në fund të nëntorit.
Presidenti Trump nuk pranon të njohë fitoren e rivalit dhe nuk autorizoi bashkëpunim me zotin Biden deri më 23 nëntor.
Në fillim të muajit, ekipi i zotit Biden tha se kishin hasur në rezistencë në marrjen e informacionit nga disa zyrtarë të Pentagonit.
Pentagoni iu kundërpërgjigj ankesave të ekipit të presidentit të zgjedhur. Një zyrtar i lartë në Pentagon tha javën e kaluar se Pentagoni ka kryer 163 intervista dhe ka përmbushur 181 kërkesa për informacion dhe do të vazhdonte të ofronte të dhëna dhe të zhvillonte mbledhje informimi.
Por zoti Biden i përsëriti këto shqetësime të hënën dhe tha se administrata e Presidentit Trump u kishte shkaktuar dëme serioze disa agjencive qeveritare.
“Të themi të vërtetën, shumë agjenci me rëndësi kritike për sigurinë tonë kanë pësuar dëme të mëdha,” tha ai. “Shumë prej tyre janë boshatisur pasi u është reduktuar personeli, kapacitetet dhe është brejtur morali. Proceset politike janë atrofizuar ose anashkaluar”.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha se mbështet shtimin e shumës që marrin amerikanët në kuadër të ndihmave federale në përgjigje të pandemisë, nga 600 në 2000 dollarë. Të dielën, Presidenti Trump nënshkroi paketën e ndihmave kundër pandemisë dhe buxhetin qeveritar, pasi kishte kërcënuar se do ta bllokonte nëse ligjvënësit nuk binin dakord për t’u dërguar amerikanëve 2000 dollarë pagesa ndihme, një masë që mbështetet nga demokratët në Kongres.