Nuk ka ndodhur asnjëherë në histori që 10 ministra të Mbrojtjes të SHBA-ve t’i tërheqin vërejtjen presidentit dhe t’i bëjnë thirrje që pushtetin ta dorëzojë pa shkaktuar probleme.
Por SHBA-të po përjetojnë një kohë të paprecedent me Donald Trumpin, i cili është barrikaduar në Shtëpinë e Bardhë dhe pretendon se i ka fituar zgjedhjet presidenciale.
Sipas logjikës së tij, Joe Biden është vetëm një demokrat i dështuar, jo presidenti i zgjedhur më 3 nëntor 2020.
10 ministra të Mbrojtjes të SHBA-ve – demokratë dhe republikanë – kanë kërkuar nga Trump të mos keqpërdorë ushtrinë për të manipuluar rezultatet zgjedhore.
Nënshkruesit e apelit të botuar në «Washington Post» janë: Ashton Carter, Leon Panetta, William Perry, Dick Cheney, William Cohen, Robert Gates, Chuck Hagel, Donald Rumsfeld, James Mattis dhe Mark Esper.
Gjykatat në SHBA kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ekipit të Trumpit mbi manipulimet zgjedhore.
Të mërkurën kongresi do të zyrtarizojë vendimin e Kolegjit Elektoral dhe do ta shpallë Joe Bidenin president.
Ndërkohë Trump ka shkuar një hap më tutje në përpjekjet e tij të rrezikshme dhe bizare për të rrëzuar rezultatin zgjedhor.
Sipas «Washington Post» ai më 2 janar i ka telefonuar ministrit të punëve të brendshme të shtetit Georgia Brad Raffensperger dhe i ka bërë presion të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Në Georgia, Biden ka fituar me 11’779 vota epërsi ndaj Trumpit. Dy rinumërime e kanë konfirmuar këtë. Megjithatë, Trump vazhdon të ngulë këmbë se ai qenkësh fitimtari.
Thirrja telefonike e Trumpit mund të ketë pasoja juridike për të, sipas ekspertëve.(E.R)