Nga Yanis Varoufakis, New Statesman
Nga mohimi, tek pranimi i vrazhdë, ndërhyrja thelbësore dhe rrënimi. Ishte kjo trajektorja e Bashkimit Evropian, kur “stuhia” financiare që gati rrënoi Wall Street-in në vitin 2008, kapërceu Atlantikun, duke shkaktuar fillimin e krizës së euros.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, reagimi i BE-së ndaj pandemisë së Covid-19 po ndjek mjerisht një trajektore të krahasueshme. Euroskeptikët shenjestrojnë për këtë burokracinë e madhe të BE-së dhe paaftësinë e saj. Ndërsa përkrahësit e e saj pretendojnë se BE-ja e ka mësuar leksionin e saj dhe i është përgjigjur pandemisë me një aftësi më të mirë por edhe duke treguar solidaritet.
Që të dyja palët gabojnë. Dështimet e shumta të BE-së, vijnë për shkak të një sëmundje më të rëndë, të cilën kriza e euros dikur e zbuloi, ndërsa sot pandemia po e përkeqëson. Por çfarë është kjo sëmundje? Imuniteti i frikshëm i BE-së ndaj sasisë më minimale të demokracisë.
Është e vështirë t`a thuash se cila ishte ora më e errët e BE-së. A ishte në vitin 2009, kur kuptuam që bankat evropiane – kryesisht ato franceze dhe gjermane -nuk kishin më aftësi paguese, dhe qenë pjesë e një bashkimi monetar, i cili nuk ishte në gjendje të shmangte kolapsin e qeverive dhe bankave?
Apo momenti ynë më i errët ishte në marsin e vitit të kaluar kur ndërsa italianët dhe spanjollët po vdisnin nga Covid-19, disa qeveri të BE-së i vunë kufij eksportit të maskave
dhe pajisjeve të tjera mjekësore, duke zgjedhur pikërisht atë moment për të shpërfillur të famshmin treg të përbashkët të Evropës ?
Teknikisht, përgjigja fillestare e BE-së ishte e justifikuar, ligjërisht si në vitin 2009 ashtu edhe në2020-ën. Në 2009 institucionet e BE-së nuk kishin autoritetin për të shpëtuar bankat në kolaps apo vendet anëtare të dëmtuara. Ngjashëm, gjatë pandemisë në vitin 2020, në kushtet kur shëndeti publik ishte kryesisht jashtë “kompetencës” së BE-së, nuk ishte për t’u habitur që në javët e para u mbingarkuan spitalet,dhe çdo vend nisi të shihte vetëm hallet e veta.
Por, tërheqja nga problemet ka qenë pjesë e modelit të BE-së. Një dekadë më parë, koha e reagimit të Brukselit ishte 6 gjashtë muaj. Herën e parë që udhëheqësit e BE-së dëgjuan se një falimentim i qeverisë greke ishte gati të falimentonte 2 banka gjermane dhe 2 të tjera franceze ishte në mesin e dhjetorit 2009.
Në majin e vitit 2010 u miratua ndihma e parë, duke shpëtuar bankat franko-gjermane dhe duke krijuar precedentin për shpëtime të ngjashme në të gjithë Evropën. Kjo ndërhyrje çoi në mobilizimin e triliona eurove, të kanalizuara përmes institucioneve të reja si Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, dhe Trojka informale (KE, BQE dhe FMN).
Vitin e shkuar,koha e reagimit të BE-së u reduktua nga 6 në 3 muaj. Pas egoizmit fillestar që treguan vendet, Angela Merkel e Gjermanisë dhe Emmanuel Macron e Francës e nxitën BE-në drejt një veprimi të koordinuar:një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh për t’i ndihmuar vendet anëtare më të goditura nga Covid-19, dhe për të pompuar potencialisht
1.8 trilionë euro përmes skemës së blerjes së obligacioneve të BQE-së.
Meqë BE-së i mungon shkathtësia e një shteti homogjen, dhe kërkon një gati – unanimitet midis 27 qeverive të saj kombëtare, një kohë reagimi 3-6 muaj para se të mobilizohen triliona euro për të luftuar fatkeqësitë e paparashikuara, nuk është shumë e keqe. Por rezultati ka qenë në të dy rastet, një mori gabimesh.
Në formën që u ndërtua që në fillim, eurozona është ëndrra më e madhe e çdo oligarku. Ajo përmban një bankë qendrore që financon çdo oligark të korporatave me para të pakufizuara falas brenda një ekonomie të madhe dhe të pasur, ku për shkak të rregullave që kufizojnë në mënyrë të pamëshirshme atë që mund të bëjnë institucionet politike në emër të shumicës, është e pamundur që elektorati të votojë në çdo qeveri kombëtare, e cila mund të transferojë pjesë të konsiderueshme të pasurisë nga pakica tek shumica.
A ishin të vetëdijshëm fuqitë e BE-së, se reagimi i gabuar do të minonte jo vetëm punëtorët dhe klasën e mesme në Greqi dhe Gjermani, por do t’i jepte një goditje të fortë investimeve në përgjithësi dhe për pasojë kapitalizmin evropian? Sigurisht që jo.
Por në sytë e tyre, kriza e eurozonës, dhe dhimbja e shmangshme që ajo shkaktoi në të gjithë Evropën, ishte një çmim që ia vlen të paguhet për imunitetin e tyre nga procesi demokratik.
Që prej vitit 2010 është bërë një përpjekje e jashtëzakonshme për të anashkaluar rregullat e BE-së,teksa pretendohet zyrtarisht se ato respektohen.
Marsin e vitit të kaluar, 13 krerë qeverish, përfshirë presidentin francez Macron, kërkuan nga BE miratimin e skemës së borxhit të përbashkët që do të ndihmonte në zhvendosjen e borxhit kombëtar drejt supeve të BE-së, dhe kjo do të shmangte masat shtrënguese të stilit grek në vitet e ardhshme.
Kancelarja gjermane refuzoi dhe ofroi një fond rimëkëmbje që do të financohet deri në 750 miliardë euro nga borxhi i përbashkët. Kjo u duk si ndihma që ka marrë Greqia nga viti 2010 e këtej. Por media nuk e ka kështu, të paktën jo në fillim.
Tani 6 muaj pas njoftimit mbi fondin e rimëkëmbjes është zhdukur entuziazmi, pasi evropianët kanë filluar të kuptojnë jo vetëm mungesën e rëndësisë, por edhe rreziqet që ai sjell. Për të mbrojtur njerëzit dhe komunitetet më të dobëta të BE-së, fondi i rimëkëmbjes duhet të jetë mjaftueshëm i madh për të kompensuar shkurtimet e rrepta.
Edhe dështimi i BE-së në blerjen e vaksinave,është një provë e mëtejshme se burokracia joefikase nuk ka qenë në asnjë rast dobësia e vërtetë e BE-së. Rrënjët e dështimeve të shumta të unionit, mund të gjurmohen në origjinën e tij si një lloj karteli në favor të oligarkëve.
Ne e dimë që kartelet janë mjaft të afta në shpërndarjen e fitimeve monopole midis oligarkëve, por të tmerrshme në shpërndarjen e humbjeve. Ne gjithashtu e dimë që ndryshe nga shtetet, kartelet do t’i rezistojnë çdo demokratizimi të vendimmarrjes së tyre, pavarësisht nëse bëhet fjalë për borxhe apo vaksina.
Në këtë kontekst, politika e Komisionit Evropian mbi vaksinat u diktua nga një domosdoshmëri:ruajtja e ekuilibrit të boshtit franko-gjerman. Pse Brukseli e ndau pjesën më të madhe të buxhetit midis kompanisë gjermane BioNTech dhe kompanisë franceze Sanofi (duke vendosur të porosisë 300 milion vaksina nga secila), ndërsa u vonua mbi 3muaj për të mbyllur marrëveshjen me britaniken AstraZeneca?
Kur vaksina franceze u vonua ndjeshëm në testet klinike, pati një reagim në panik nga Brukseli. Së bashku, zyrtarët e BE-së dhe oligarkët e jugut dhe veriut të Evropës,e kanë bërë tashmë zakon grabitjen ndaj popujve evropianë, si në kohëra të mira ashtu edhe në kriza. Tragjedia e Evropës, sa për të cituar romancierin Arundhati Roy është “e menjëhershme, reale, epike dhe shpaloset para syve tanë. Por nuk është e re. Janë rrënojat e një treni që ka dalë prej vitesh nga binarët”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.Shënim: Yanis Varoufakis, ish-Ministri i Financave në Greqi, aktualisht udhëheqës partisë MeRa25 në parlamentin grek.