Biznesmenë, investues dhe aktivistë shqiptaro-amerikanë i bëjnë thirrje popullit shqiptar të hapë një kapitull të ri historik, për Shqipërinë, me zgjedhjet e 25 prillit. Në 25 prill 2021 shqiptarët në Shqipëri do t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar fatin e vendit të tyre për katër vitet e ardhshme.
Si bashkatdhetarë, vëllezër të një gjaku e gjuhe, Shqipëria është në mendjen dhe zemrën tonë dhe i ndjekim me shqetësim zhvillimet në atdhe. Është bindja jonë se zhvillimet e tetë viteve të fundit kërkojnë një ndryshim të thellë politik në vend. Komuniteti i biznesmenëve shqiptaro-amerikanë mbetet një potencial i madh investues të cilin Shqipëria deri tani nuk ka ditur ta shfrytëzojë. Shumë prej nesh janë biznesmenë, investues, punojnë apo kanë lidhje me kompani të mëdha investuese amerikane. Dëshira për të investuar në Shqipëri nuk ka munguar kurrë. Ajo që ka munguar është një klimë miqësore e mikpritëse ndaj investimeve serioze nga jashtë. Në këto vitet e fundit, gjendja është keqësuar edhe më tej. Mbizotërimi i oligarkëve, mungesa e konkurrencës së ndershme, korrupsioni, zgjatja e duarve të politikës në ekonominë private, mungesa e besimit te institucionet e rendit dhe të drejtësisë, problemet me pronat janë vetëm disa nga faktorët e shumtë që pengojnë një bum investimesh që do të shndërronte katërcipërisht ekonominë shqiptare.
Në vend të kthesës së vonuar, qeverisja e Edi Ramës ka sjellë thellimin edhe më tej të këtyre problemeve. Ky nuk është thjesht gjykimi ynë, por përfundimi i shumë raporteve institucionale ndërkombëtare për Shqipërinë. Po sjellim vetëm shembullin e Departamentit të Shtetit Amerikan në Raportin e tij për Klimën e Investimeve për vitin 2020, i cili thekson se: “investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes”, për shkak “të problemeve të vazhdueshme në Shqipëri”, si “korrupsioni, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave”, ku “raportimet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.”, sepse “Korrupsioni endemik, zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e rëndë dhe mungesa e transparencës, të gjitha e pengojnë komunitetin e biznesit”.
Kryeministri Edi Rama ka pasur kohë të mjaftueshme për të ndërmarrë reforma që mund ta ndryshonin këtë realitet. Në vitet e fundit majde ai ka kontrolluar në mënyrë të plotë institucionet e shtetit – me një parliament pa opozitë, me një pushtet lokal 100% në duart e partisë dhe koalicionit të tij, me një promovim masiv të të preferuarve të tij në systemin gjyqësor dhe organet e rendit.
Që prej rrëzimit të komunizmit, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më afër një sistemi monist, ku një parti e e vetme dhe një lider autokrat të ketë pasur kaq shumë pushtet. Me të gjitha mjetet e shtetit në duart e tij, ku janë arritjet e Edi Ramës? Ekonomia ka vijuar të lëngojë, varfëria dhe papunësia të rritet, ikja në emigracion i talenteve dhe profesionistëve të rinj është thelluar, ndërsa besimi te e ardhmja e vendit ka rënë. Historia i ka dhënë Edi Ramës pushtetin maksimal që mund t’i jepej një drejtuesi në demokraci dhe ai nuk ka sjellë ndonjë rezultat frymëzues.
Vota për Partinë Socialiste do të ishte vazhdim i një rruge pakrye nga e cila Shqipëria duhet të dalë sa më parë. Do të ishte nxitje tendencave autokratike, e atyre për ngurtësimin e ekonomisë, për pasurimin e një rrethi gjithnjë e më të ngushtë oligarkësh, vazhdim i sulmit ndaj trashëgimisë kulturore e kombëtare të vendit etj.
Një alternativë shpresëdhënëse duket se vjen nga opozita dhe sidomos nga programi ekonomik i Partisë Demoktratike me kryetar Lulzim Bashën. Që nga taksa e sheshtë, te reformat që rigjallërojnë dhe modernizojnë ekonominë, masat që krijojnë klimën e duhur për biznesin nga brenda dhe jashtë vendit. Ky program sinjalizon një dëshirë dhe vullnet për ndryshim.
Shqipëria është një vend i vogël dhe do të mjaftonte një seri investimesh serioze për ta transformuar shpejt ekonominë e vendit në mënyrë që shqiptarët të jetojnë jo ndryshe nga europianët e tjerë. E vetmja mënyrë që rinia shqiptare ta imagjinojë të ardhmen në vendlindje. Këto, bashkë me rikthimin e besimit te demokracia në vend padyshim do të lehtësonin hyrjen e vonuar në Bashkimin Europian. Do të ishte një sinjal i qartë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan të biznesit dhe të gjithë investuesit nga jashtë që kanë interes për Shqipërinë. Në 25 prill, zgjedhja është e qartë. Pas tetë vitesh, në pushtet është koha për ta përcjellë Edi Ramën në opozitë.
Biznesmenë, investues dhe aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan
Nënshkruar nga:
Dr. Hasan Ademaj
Eduard Aliko
Harry Bajraktari
Elmi Berisha
Dr. Beslim Breçani
Isa Brijaj
Ilir Buçpapaj
Leonard Bujaj
Sabit Bytyçi
Dr. Sylejman Çelaj
Ylber Dauti Esq.
Gjokë Deçkaj
Rocky Dedivanaj
Agim Dedndrejaj
Mikel Demaj
Dritan Demiraj
Rustem Gecaj
Xhaferr Gecaj
Gjevalin Gega
Louis (Luigj) Gjelaj
Nick Gjelaj
Zef Gjelaj
Gjergj Gjetaj
Leon Gjoni
Pashko Gjokaj
Astrit Gjonpali
Sejdi Hysenaj
Haxhi Hyseni
Gjergj Ivezaj
Pjetër Jaku
Lin Kombulla
Dr. Rifat Latifi
Ardian Leka
Engjëll Mene
Hasan Metuku Esq.
Halil Mula
Nevruz Nazarko
Erenik Nezaj
Agustin Preldakaj
Anton Raja
Mark Sallaku
Sokol Selmani
Beqir Sina
Albert Spahiu
Albert Spahijaj
Andrew Tonaj
Sami Vejuka
Sammy Zherka