Ian Bremer, politolog në Universitetin e Kolumbias në SHBA, dhe president i “EurasiaGroup”, i vendos notën “B minus” politikës së jashtme të 100–ditëshit të parë të Xho Bajdensi president i SHBA-së. I dobët me Putinin, i aftë për të frenuar Kinën, dhe fushata e vaksinimit ishte një sukses gjeopolitik. Por stuhia e vërtetë është ende duke ardhur …
Bremer, pse nota “B minus” për 100 ditët e para të presidencës Bajden?
Bajden ka pasur shumë më shumë sukses në politikën e brendshme. Në këtë front ai ka pasur 100 ditë vërtet të jashtëzakonshme. Nga shpërndarja e vaksinave anti–Covid tek planet për rimëkëmbjen ekonomike, i gjithë legjislacioni është miratuar dhe është gati për zbatim. Politika e jashtme ka rezultuar shumë më e vështirë për presidentin.
Pse?
Bajden u përball me një rend botëror shumë të ndryshëm nga ai që la si zv/president. Disa gjëra kanë qenë më të lehta për të:rikthimi i Shteteve të Bashkuara tek Marrëveshja e Parisit për klimën, tek OBSH, dhe ka shënuar një përparim edhe pse të kufizuar, për një samit botëror të klimës. Çështjet e tjera janë shumë më të vështira.
Cilat?
Me gjithë përpjekjet për t’u kthyer në marrëveshjen bërthamore,marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Iranin, janë përkeqësuar shumë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Evropën. Pas sulmit të turmës ndaj Kongresit në 6 janar, në Evropë ka një krizë mosbesimi që po merr hov, dhe nuk është e sigurt se Bajden do të jetë në gjendje që ta kapërcejë atë.
Ku po shënon arritje?
Deri më tani, në frontin aziatik. Ai ka ringjallur me sukses marrëdhëniet midis aleatëve në formatin QUAD, duke arritur të afronte mes tyre dy vende që e kanë parë historikisht me dyshim njëra-tjetrën si Japonia dhe Koreja e Jugut.
Bajden premtoi një politikë të jashtme “për shtresën e mesme”. A po ja del mbanë?
Më shumë sesa një premtim, ai është një vëzhgim. Një amerikan i zakonshëm nuk e kupton arsyen pse Shtetet e Bashkuara duhet të shpenzojnë miliarda dollarë në misione jashtë vendit, apo të mbrojnë demokracitë në botë.
Një politikë e jashtme për shtresën e mesme, do të thotë një politikë industriale më pro–aktive, investime në infrastrukturë, një angazhim për të pasur mbështetjen e amerikanëve. Kjo do të thotë edhe tërheqje nga Afganistani:një sukses në nivelin e brendshëm, dhe më pak në atë diplomatik, me Francën dhe Gjermaninë, që janë të shqetësuara nga rreziku i rikthimit të radikalizmit islamik.
Kritikët e Bajden thonë se politika e tij e jashtme është e parashikueshme, ndryshe nga ajo e Trump, që përmes improvizimeve ka sjellë në shtëpi disa suksese diplomatike. A është vërtet kështu?
Trump i provoi botës se ishte i gatshëm të përdorte të gjithë fuqinë amerikane. Ai e bëri atë në një mënyrë jo miqësore. Po, kjo qasje ka arritur disa fitore diplomatike, si marrëveshja për NAFTA, marrëveshja tregtare me Korenë e Jugut, reduktimin e ndjeshëm të emigracionit të paligjshëm nga Meksika. Por ka pasur edhe shumë dështime:Koreja e Veriut, Irani, Kina, Rusia. Bajden ka zgjedhur një qasje më të kujdesshme, duke kërkuar bashkëpunim me aleatët.
Dhe kjo po funksionon?
Në disa raste po. Ai arriti të bisedonte për problemin e ndryshimit të klimës me Brazilin e Bolsonaros. Diku tjetër më pak. Kështu propozimi për mbajtjen e një samiti me Putinin, gjatë kohës që ky po grumbullonte trupa në kufirin ukrainas nuk ishte një veprim i zgjuar, dhe u duk ndoshta i dobët.
Si po lëviz Bajden në raport me Kinën?
Me njëfarë vazhdimësie krahasuar me paraardhësin e tij. Kina mbetet në krye të kërcënimeve të sigurisë. Gjithsesi, Bajden po kërkon një qasje të koordinuar me aleatët. Në Paqësor me QUAD-in, në Evropë me dialogun mbi teknologjitë në zhvillim dhe çështjet e klimës. Pa harruar të drejtat e njeriut, siç tregohet nga raundi i sanksioneve ndaj Pekinit për shkak të persekutimit të ujgurëve apo sanksionet kundër Rusisë për çështjen Navalni.
Meqë ra fjala, edhe Rusia i është kundërpërgjigjur Evropës. Në shënjestër është presidenti i Parlamentit Evropian, David Sasoli…
Nuk është diçka e zakonshme, por duhet bërë e qartë një gjë:sanksionet vështirë se kanë ndonjë ndikim përçarës në marrëdhëniet dypalëshe. Paketa e vetme e masave që prishi vërtet marrëdhëniet, ishte ajo e vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë saudite mbi çështjen Kashoxhi. Politika e jashtme drejtohet edhe nga faktorë të tjerë. Brenda 6 muajsh Amerika e Bajden do të jetë në gjendje që të eksportojë vaksinat më të mira anti–Covid kudo në botë. Kjo është përçarëse.
E mbyllim me Evropën. Në çfarë gjendje janë marrëdhëniet dypalëshe BE-SHBA pas 100 ditëve të para të presidencës Trump?
Është herët për të bërë një bilanc. Sigurisht që udhëheqësit evropianë ndihen më komodë me Bajden sesa me Trump. Makron mbetet më i rezervuar. Por Bajden ka zbutur jo pak tensionet. Këtu kam parasysh koordinimin e masave tatimore:rruga drejt një takse të vetme minimale të vetme mbi kompanitë është e vështirë, ndërsa ajo mbi një taksë mbi shërbimet dixhitale është premtuese.
Cila mund të jetë e papritura që pritet në muajt e ardhshëm?
Një krizë e madhe. Nuk e kemi parë ende, por nuk do të vonojë shumë për t’u shfaqur. / Bota.al