Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtimi i forcave ushtarake në Kosovë nuk ka qenë si qëllim për të provokuar Serbinë. Në një përgjigje ndaj reagimeve të liderëve serbë, Milanoviq e ka quajtur të mbyllur çështjen e pavarësisë së Kosovës.
Ditë më parë, ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, paralajmëroi ngritjen e një kampi ushtarak në Kosovë për “stabilitet të rajonit”. Kjo nuk u prit mirë në Serbi, që e cilësoi provokim nga ana e Kroacisë.
E të shtunën, Milanoviq duke folur para gazetarëve ka përsëritur se çështja e ushtarëve kroatë në Kosovë s’ka të bëjë me Serbinë.
“Ushtarët kroatë janë në parim për ta mbrojtur Kroacinë dhe çfarëdo forme tjetër e bashkëpunimit është e dëshirueshme. Kosova është e njohur nga i gjithë Bashkimi Evropian, përjashtuar pesë vende, andaj është çështje e kryer. Nuk është provokim për Serbinë. Ata nuk dinë si të dalin nga kurthi ku e kanë futur veten 30 vjet më parë. çështja e pavarësisë së Kosovës ka çuar në luftëra. Vazhdimisht po manipulojnë me këtë. Është një mënyrë që përdoret për të mbajtur në tension votuesit e tyre”, ka thënë ai, shkruajnë mediumet kroate.
Milanoviq ka thënë tutje se Serbia s’mund të krahasohet me Kroacinë, pasi, sipas tij, Serbia s’ka ambicie për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Koha.net