Shkruan: Ziadin Sela
“Përgjegjësia për sulmin e 27 prillit 2017 ndaj Parlamentit duhet të etablohet” thonë konkluzionet për zgjerimin të miratuara nga Këshilli i BE më 26 qershor 2018.
Me ikjen e Gruevskit, mos heqjen e imunitetit të Veljanovskit, dhe një ligj të porositur për amnisti të sjellë nga partitë në pushtet për amnistimin selektiv të 15 organizatorëve të akuzuar, përgjegjësia për 27 prillin tashmë ishte një tallje me drejtësinë.
Deklaratat e sinkronizuara të kësaj jave të udhëheqësve të tre partive më të mëdha politike në vend dhe të Presidentit rreth gjoja “aktakuzave për terrorizëm” kundër sulmuesve të 27 prillit qëllimshëm synojnë të krijojnë konfuzion dhe të ndërhyjnë në punën e gjyqësorit.
Ashtu siç ka sqaruar Prokurorja Publik Ruskovska, sulmuesit nuk janë akuzuar për terrorizëm, por për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë”. Ky është krim krejtësisht tjetër, i ngjashëm me aktakuzat për “konspiracion kryengritës” kundër ekstremistëve që sulmuan Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 6 janar.
Çdo përpjekje për të rihapur rastin 27 prillit ose për të rikualifikuar aktakuzat do të zhbëjë përgjegjësinë edhe ashtu shumë të limituar, si dhe një kusht eksplicit të vendeve anëtare të BE-së për të hapur negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
U bëj thirrje Shefit të Delegacionit të BE-së, ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe Ambasadores së SHBA-ve që të ngritin zërin dhe të qartësojnë se çdo ndërhyrje e mëtejshme në gjyqësor ose çdo përpjekje për të minuar më tej përgjegjësinë për 27 prillin është e papranueshme dhe përbën një hap të madh prapa në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke e larguar edhe më tej hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.