Shefi i grupit parlamentar të B D I-së, Arbër Ademi, pret që në zgjedhjet lokale të vjeshtës, Bashkimi Demokratik për Integrim të fitojë më shumë komuna nga sa ka aktualisht, shkruan gazeta LAJM. Ai tha se B D I-ja mund të fitojë edhe në disa komuna që deri tani nuk janë drejtuar nga shqiptarët.
“Ne po i bëjmë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme. Ju e dini që B D I është parti politike serioze, e etabluar mirë, e organizuar mirë në skenën politike të vendit tonë. Jemi të gatshëm për të marrë përsipër që t’ju shërbejmë qytetarëve edhe në një mandat katër vjeçar në pushtetin lokal dhe në bazë të anketime të fundit B D I është fitues absolut si në nivel kombëtar ashtu edhe në komuna specifike ku ka gjasa të fitojë kandidati shqiptarë dhe ne do të kemi kandidat aty si parti politike me gjasa më të mëdha se çdo kush tjetër, pra jemi favorit absolut që t’ju shërbejmë qytetarëve edhe në një mandat 4 vjeçar në pushtetin lokal”, u shpreh Ademi.
Deputeti i B D I-së, tha se partia është e unifikuar në prag të zgjedhjeve lokale dhe nuk rrezikon të humb asnjë komunë.
“Nuk ka mosmarrëveshje brenda B D I-së, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale jemi të gjithë një e të përbashkuar prapa liderit tonë z.Ali Ahmeti dhe se jo që nuk do të humbim ndonjërën nga komunat që drejtojmë tani por ne do të shtojmë numrin e komunave që do t’i drejtojmë”, tha Ademi për gazetën LAJM.