Një shqiptar është kthyer në “hero” në Finlandë për shkak të aktit të tij. Gazeta vendase “Helsingin Sanomat” raporton se një zjarr i madh shpërtheu në Minttutie duke shkatërruar tërësisht një shtëpi.
Shqiptari Mërgim Halili, i cili jetonte në të njëjtën lagje, nuk është menduar dy herë por pavarësisht rrezikut, ka hyrë brenda e ka ndihmuar një cift të moshuar të largoheshin prej banesës në flakë.
Halili ka rrëfyer për gazetën se është ndihmuar edhe nga e dashura e tij për të shpëtuar çiftin që rrezikonte mes flakëve.
Ai thotë se vunë re tymin që ngrihej nga shtëpia dhe u nisën për të parë situatën. Ndërsa flakët u rritën, ata vendosën të kontrollonin nëse kishte njerëz në apartamente.
Sipas Halilit, ata trokitën në derën e shtëpisë dhe i ranë ziles. “Të moshuarit hapën derën kur trokitëm. Ata duket se nuk e kishin kuptuar që ka rënë zjarr”, thotë Halili.
Dy të rinjtë më pas i nxorën të moshuarit jashtë, pasi flakët filluan të përhapen menjëherë me shpejtësi. g.v/abcnews.al