Ballina Aktualitet Kultura Ndërroi jetë këngëtari dhe kantautori i njohur shqiptar (FOTO+BIOGRAFIA)

Ndërroi jetë këngëtari dhe kantautori i njohur shqiptar (FOTO+BIOGRAFIA)

Ka ndërruar jetë dje pasdite në Gjilan, në moshën 71-vjeçare, këngëtari dhe arsimtari Muzikës, rapsodi Demir Krasniqi. Njoftimin e kanë dhënë familjarët e tij, raporton Mediafokus.info

“Ju njoftojmë se sot me datën 20.08.2021 në ora 15:40 ndërroi jetë më i dashuri ynë (babai) Demir Krasniqi, duke na lënë për jetë të pikëlluar. Për ceremonin e vorrimit ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.

Kush ishet Demir Krasniqi?

Demir Krasniqi rrjedh prej një familje intelektuale, e cila i ka shërbyer kohës me veprat e saj.

Demiri, fillet e para të muzikës i mori nga mësuesi Rexhep Bunjaku, si nxënës i fillores. Qysh herët, ai zuri vendin e parë në garat e manifestimit rajonal “Mikrofoni është i Juaji”.

U angazhua me vite të tëra si profesor i muzikës, duke lënë gjurmë nëpër shumë shkolla. Po ashtu, ishte një këngëtar e tekstshkrues shumë i mirë i këngëve të ndryshme muzikore, të cilat bënë jehonë të përhershme në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve.

Demir Krasniqi ka një opus prej mbi 1500 këngësh e vallesh origjinale, të kompozuara nga vetë ai. Po ashtu, ka grumbulluar mbi 4.000 këngë të ndryshme, nga folklori muzikor.

Ai është marrë edhe me gazetari, ku ka dhënë një kontribut modest. Krijimtaria artistike – kulturore është fusha të cilës unë i ka kushtuar tërë jetën duke u munduar të bëjë më të mirën e mundshme për vendin e tij.

Ndryshe, Krasniqi është autor i shumë veprave e krijimtarive muzikore, folklorike, artistike e gazetareske. Kontribut shumë të madh ka dhënë edhe në fushën e arsimit, ku për kohë të gjatë ka punuar në edukimin e brezave të shumtë të Gjilanit dhe rrethinës.

Autor i dhjetra veprave

Disa nga veprat e tij janë: Mallëngjima e Ushtima (Prishtinë, 1993), Qamili i vogël – zë që nuk shuhet – monografi (Prishtinë, 1995), Gjakon Kosova (Gjilan, 1998), Bejtë Pireva (Gjilan, 2002), Zeqir Maroca (Gjilan, 2002), Këngë krismash lirie I (Gjilan, 2003), Këngë krismash lirie II (Prishtinë, 2003), Familja Kurti nga Tygjeci – monografi (Prishtinë, 2004), Shtojzovallet e Gollakut (ETMM i Kosovës, Prishtinë, 2005), Kushtrim lirie (SHB Kurora, Gjilan, 2005), Liman Shahiqi -trimi i Gollakut (Prishtinë, 2005), Kroi i këngës (Gjilan, 2006), Qamili i Vogël – Këngë përjetësie (mblodhi, redaktoi dhe deshifroi me nota Demir Krasniqi), Krenaria e Gollakut (me rastin e 40-vjetorit të karrierës dhe krijimtarisë muzikore) – (Gjilan, 2008), Diell Lirie (Gjilan, 2008) etj.

Doajeni i muzikës shqipe, Demir Krasniqi, do të jetojë përgjithmonë, si emër i veçantë, në zemrën e çdo shqiptari dhe do të jetë frymëzimi i muzikantëve të rinj, nëpër breza./Mediafokus.info