Komuniteti i inteligjencës në Shtetet e Bashkuara tha se ishte i ndarë rreth origjinës së COVID-19, pasi për tre muaj kryen një hetim që e urdhëroi presidenti Joe Biden, thuhet në një përmbledhje të publikuar më 27 gusht.
Komuniteti i inteligjencës tha se të gjitha agjencitë vlerësuan se dy hipoteza janë “të mundshme” – që ose virusi është përhapur në njerëz nga një kafshë e infektuar ose që virusi ka dalë nga një laborator kinez në Vuhan.
Dokumenti u publikua nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, që mbikëqyrë 17 agjenci dhe organizata të inteligjencës amerikane.
Komuniteti i inteligjencës tha se SARS-CoV-2, virusi që shkakton sëmundjen COVID-19, me gjasë ka infektuar njerëzit e parë jo më vonë se nëntori i vitit 2019 dhe grupi i parë i infeksionit u paraqit në Vuhan të Kinës në dhjetor.
Në përgjithësi, komuniteti i inteligjencës tha se me qëllim që të ofrojë një shpjegim përfundimtar lidhur me origjinën e COVID-19, duhen më shumë informacione.
Presidenti amerikan, Joe Biden, përmes një deklarate, ka thënë se SHBA-ja dhe partnerët e saj do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Kinës që të bashkëpunojë dhe të ndajë informacione lidhur me fazat e para të pandemisë.
“Informacioni kritik për origjinën e kësaj pandemie ekziston në Republikën Popullore të Kinës, por që nga fillimi, zyrtarët e Qeverisë kineze, kanë punuar për të parandaluar hetuesit ndërkombëtarë dhe anëtarët botërorë të shëndetit publik që të kenë qasje në të”, ka thënë Biden.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, që prej shpërthimit të pandemisë në fundin e vitit 2019, në botë janë regjistruar mbi 215 milionë raste dhe mbi 4.4 milionë viktima./REL