Në Kosovë është shënuar rritje e rasteve të pacientëve në kujdes intenziv për shkak të sëmundjes COVID-19.
Të shtunën ishin raportuar 73 pacientë ndërsa të dielën (5 shtator) ky numër është rritur në 87.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se në spitalet dhe klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.207 pacientë, prej tyre 1.101 janë të konfirmuar me koronavirus.
Prej tyre, 1.026 po trajtohen me oksigjeno-terapi.
“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 418 pacientë të shtrirë, 413 prej tyre COVID-19 pozitivë, 354 me trajtim përmes oksigjeno-terapis. Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 789 pacientë, 688 të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 672 me oksigjeno-terapi”, thuhet në njoftim.
Të shtunën, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë regjistruar 21 viktima të reja nga koronavirusi.
Autoritetet shëndetësore kanë regjistruar edhe 1.278 persona të infektuar me koronavirusin e ri. Shifra është publikuar pas testimit të 10.609 mostrave.
Raste aktive janë mbi 26 mijë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk e ka përjashtuar mundësinë e masave të reja para 13 shtatorit, deri kur janë në fuqi masat e fundit të ndërmarra nga qeveria.