Në moshën 66-vjeçare, sot u nda nga jeta prof. dr. Naim Halimi, nga fshati Shtrazë i rrethit të Kumanovës, doktor i shkencave historike, këshilltar shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Naim Halimi dha një ndihmesë të çmuar në edukimin e brezave të tërë në frymën kombëtare. Pas kryerjes së Fakultetit Filozofik – dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës, punën në arsim e filloi si profesor i historisë në Gjimnazin e Kumanovës (1982-1983). Një kohë të gjatë punoi në Shkollën fillore “Vëllazërimi” (më vonë “Naim Frashëri”) në Kumanovë (1984-1997). Pas mbarimit të studimeve të doktoratës në Institutin e Historisë në Tiranë, u angazhua ligjërues i disa lëndëve të fushës së historisë në Universitetin e Tetovës (1997-2008). Një mandat ishte edhe prorektor i Universitetit të Tetovës, në kohën më të vështirë, para se ai të legalizohej.
Nga viti 2009 u punësua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku dha një kontribut të madh nëpër aktivitete të ndryshme hulumtuese – shkencore.
Naim Halimi është autor i botimeve shkencore, si: “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trevën e Karadakut (1908-1912)”, Kumanovë, 2001; “Studime historike dhe etnologjike në trojet tona etnike”, ITSHKSH, Shkup, 2017, dhe “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës”, në bashkautorësi me Sevdail Demirin, ITSHKSH, Shkup, 2019.
Në dorëshkrim i kishte edhe disa vepra të rëndësishme të historiografisë, si: “Historia e popullsisë së Kumanovës (1600-2000) – disa personalitete të shquara shqiptare”; “Shpërnguljet e shqiptarëve nga Kumanova – shkaqet dhe pasojat”, “Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e demokracisë”, etj.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të prof.dr.Naim Halimit.
Të dhënat biografike në vebsajtin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve:
ARSIMIMI
Doktoratura: Instituti i Historisë në Tiranë, disertacioni: LKSH në trevën juglindore të Vilajetit të Kosovës 1908-1912
Magjistratura: Instituti i Historisë në Tiranë, tema: LKSH në trevën e Karadakut 1908-1912
Fakulteti Filozofik, dega Histori, Universiteti i Prishtinës
MARRËDHËNIA E PUNËS
2009 —-, ITSHKSH, Sektori i historisë
1997-2008, ligjërues në Universitetin e Tetovës
1984-1997, profesor në Sh.F. “Naim Frashëri”, Kumanovë
1982-1983, profesor në Gjimnazin e Kumanovës
BOTIMET SHKENCORE
1. “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trevën e Karadakut (1908-1912)”, Kumanovë, 2001;
2. “Studime historike dhe etnologjike në trojet tona etnike”, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve, Shkup, 2017.
3. “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës”, në bashkëautorësi me Sevdail Demirin, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve, Shkup, 2019.
Libra tjerë në shtyp:
1. Historia e popullsisë së Kumanovës (1600-2000) – disa personalitete të shquara shqiptare,
2. Shpërnguljet e shqiptarëve nga Kumanova – shkaqet dhe pasojat,
3. Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e demokracisë, etj.
-Disa publikime nëpër revista shkencore dhe gazeta ditore.
AKTIVITETET SHKENCORE
Pjesëmarrës në disa konferenca shkencore në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Prishtinë e Tiranë
AKTIVITETET TJERA
Zv/kryetar i Këshillit të ITSHKSH, Shkup, etj.
Anëtar i kryesisë së Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë
Anëtar i redaksisë së revistës “Studime albanologjike”, ITSHKSH, Shkup;
Ish-Prorektor i Universitetit të Tetovës, etj.
Gjuhët e huaja: Serbokroatisht, frëngjisht