Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale kanë vazhduar me aktivitete të fushatës zgjedhore, duke promovuar kandidatë e tyre për kryetar komunash dhe këshilltarë komunal dhe duke realizuar takime të ndryshme me qytetarët, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në takimin e djeshëm me qytetarët në Zhelinë ka premtuar kopsht të ri për fëmijë dhe pastrim të deponive. Në takim me banorët e Tetovës ka premtuar se do të realizojnë mbi 450 milionë euro për katër investime strategjike.
“Një nga projektet më të mëdha do të jetë qendra e skijimit Kodra e Diellit në vlerë prej 100 milionë euro. E kemi destinacionin më unik në Evropë. Jemi në fazë të dytë të negociatave me vetë kompaninë, shpresoj se shumë shpejtë këtë kompania do ta publikojë. Projekti i dytë është investimi strategjik me ‘Ekolog’-un, investim në vlerë prej 300 milionë euro kemi spital, staduim futbolli tërësisht i rikonstruuar dhe sipërfaqe të reja afariste-banesore.
Projekti i tretë është stacion filtrimi për ujëra të zeza në Tetovë, në vlerë prej 50 milionë eurosh së bashku me kolektorin. Projekti i katërt është deponia rajonale për rajonin e Pollogut për të cilin tashmë po negociojmë, i kemi përpiluar elementet dhe dokumentet dhe jam i bindur se në nëntë muajt e parë të mandatit të ardhshëm dr. Hamdija Elezoviq dhe ky grup këshilltarësh do ta realizojmë këtë nprojekt për Tetovën”, theksoi Zaev.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në fjalimin e tij para banorëve të Studeniçanit ka elaboruar arsyet se pse duhet votuar B D I-në duke theksuar se janë 19 vite punë nga kuadro profesionale dhe të dëshmuar me dijen e tyre duke potencuar edhe përkrahjen maksimale për Ejup Abazin dhe kandidatët për këshilltarë komunal në Komunën e Studeniçanit.
Kandidati i B D I-së për kryetar të Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi shprehu faleminderimin e tij për përkrahjen e dhënë për zhvillimin e Komunës së Studeniçanit ndaj ekzekutivit dhe strukturave partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim për vite me rradhë. Ai shprehu se ka vullnetin dhe gatishmërinë për të qenë kryetar në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim duke pasur prioritet realizimin e projekteve cilësore të cilat edhe i numëroi.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në tubimin e sotëm me qytetarët e Karposhit ka thënë se Zaev dhe Shilegov janë të njëjtë dhe se ata bashkëpunojnë së bashku në biznese kriminele. Ju ka bërë thirrje qytetarëve që më 17 tetor të dalin të votojnë dhe t’i dënojnë, ka ardhur koha që qytetarët të votojnë për ardhmëri të re.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka thënë se nëse do të ishte një garë e lehtë do ta kuptonim se ai ka hyrë për të marrë një pozicion. Por gara e Argjentit është një ndër garat më të vështira. Kështu tha kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, duke folur për kandidaturën e Argjent Gurës për komunë e Bërvenicës, ndërsa shtoi se gara e Argjentit e ka një veçanti: “është garë e fitores”.
“Gara e Argjentit është garë e bashkimit të gjithë votuesve shqiptarë këtu në Bërvenicë pa marrë parasysh bindjeve politike që kanë. Gara e Argjentit është agjendë, jo e blertë apo jeshile, por agjendë kuq e zi për Bërvenicën”, deklaroi Sela. Sela tha se këtë garë do ta fitojnë shqiptarët e Brvenicës, do t’i japin kuptim diaspora dhe do ta gëzojnë këtë ndryshim të gjithë banorët e kësaj komuna, pa marrë parasysh përkatësinë etnike që e kanë.
Kryetari dhe njëherit kandidat i Lëvizjes Besa për Komunën e Tetovës Bilall Kasami në vazhdën e aktiviteteve zgjedhore edhe sot realizoi takime me pronarët e bizneseve të vogla dhe premtoi se në gjashtë muajt e parë të qeverisjes me komunën do të rregullon kaosin në komunikacion, do të zgjidhë çështjen me qentë endacak dhe problemin me ndërtimet pa leje. Ai tha se komuna do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një institucion me dyer të mbyllura, dhe i cili do të jetë i hapur vetëm për një grup të caktuar qytetarësh.
https://youtu.be/CPyYRPdzHg8
“Një ndër pikat më të rëndësishme të platformës tonë është që të përkujdesemi edhe në shkolla dhe në jetën e përditshme edhe me fëmijët me nevoja të veçanta, sepse ata janë pjesë e jetës tonë, familjeve dhe shoqërisë tonë dhe duhet të kemi një qasje inkluzive për të gjithë ata. Tetovës i duhet një menaxhment i mirë, Tetovës i duhet një lidership i cili do të kujdeset 24 orë për jetën e çdo qytetari. Unë besoj se ndryshimi do të vijë menjëherë që në ditën e parë, sepse ka shumë çështje të cilat rregullohen vetëm me një menaxhment të mirë, me një përkushtim.
Në gjashtë muajt e parë do të rregullohet kaosi në komunikacion. Nuk kërkon financa astronomike, kërkon një përkushtim dhe një vendim që njëherë e përgjithmonë veturat të largohen nga rrugët, por sigurisht t’ju sigurohen parkingje ku ata t’i vendosin në afërsi të banesave dhe bizneseve te tyre. Për një periudhë të njëjtë do të rregullohet çështja e qenve endacak, çështja e kaosit në komunikacion dhe çështje të tjera që nuk kërkojnë investim, por përkushtim të institucioneve të komunës. Njëherë e përgjithmonë do të ndalet problemi i ndërtimeve pa leje, do të ndërtohet me leje, me paln ashtu siç i ka hije një qyteti evropian”, premtoi Kasami.
Kandidatja e pavarur për Qytetin e Shkupit Danella Arsovska premtoi ndërtimin e pesë mega parqeve në Gazi Babë, Çair, Aerodrom, Kisella Vodë dhe Gjorçe Petrov, të cilët do të jenë të pajisur me pajisje urbane, zona sportive dhe shtigje të këmbësorëve.
“Në kuadër të programit dhe realizimit të këtij projekti për ndërtim të 5 mega parqeve të reja, çdo vit zotohem se qyteti do të mbjellë 100.000 fidane të reja. Nuk kemi opsion tjetër përveç që Shkupi të bëhet qytet i vërtetë ekologjik dhe të qëndrueshëm. Nëse duam ajër të pastër, mjedis të bukur për jetesë dhe vende për rekreacion duhet të investojmë në to. Nuk ka më arsyetime dhe prolongime. Shkupi duhet të ketë zgjidhje të shpejta dhe të sigurta”, tha Arsovska.
Partia Demokratike Shqiptare ka realizuar disa takime me qytetarët e Çairit dhe Treboshit.
Nisma “Më mirë për Tetovën” gjatë ditës së sotme kanë realizuar disa takime me qytetarët e Brodecit dhe Bozovcës, ku i kanë dëgjuar problemet dhe vështirësitë e banorëve. Banorët u janë ankuar se nuk janë infrastrukturë bazike rrugore, objekt të ambulancës ka nëpër këto fshatra, por mjek nuk kanë, dy hidrocentrale që janë në afërsi të fshatit Brodec rrezikojnë ta dëmtojnë natyrën përrreth, mungon stimulimi i vetpunësimit në blegtori e bujqësi, si dhe shumë probleme të tjera.
Bonus Video: