Kandidati i Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët për komunën e Çairit, Bekim Sali ka falënderuar qytetarët për votën e dhënë në rrethin e parë, ndërsa ka shtuar se beteja për Çairin e ri vazhdon.
“Ta dashur 9824 qytetarë, votues, aktivistë dhe dashamirë që dje votuat për ndryshim në Komunën e Çairit, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra secilin nga ju. Ju jeni heronjtë e këtij rezultati dhe unë ju jam pafundësisht mirënjohës e përjetësisht falënderues.
Pavarësisht se kundërshtarët tanë i kanë metodat e tyre të përvetësimit të vullnetit të lirë, kjo fare nuk na dekurajon, por – përkundrazi – na ka dhënë shtytje të madhe se në Çair ka kaq shumë njerëz vullnetmirë, që ia duan të mirën Çairit tonë dhe kjo betejë ia vlen të bëhet për ta. Në fakt, kjo është betejë edhe për t’i çliruar të gjithë të tjerët që jetojnë nën presionin e madh të pushtetit dhe të cilët duhet edhe të votojnë me detyrim.
Angazhimi ynë është përtej një rrethi zgjedhor dhe përtej një cikli zgjedhor. Kjo është kauzë jetësore.
Prandaj, të dashur aktivistë e qytetarë, asgjë nuk ka përfunduar. Madje, tek sa ka filluar. Asgjë nuk është numri i votave që na dallon kundrejt votuesve që në rrethin e parë nuk kanë votuar dhe kundrejt vullnetit qytetar për ndryshim.
Beteja jonë për Çairin e Ri vazhdon.
Shihemi në fitore më 31 tetor”, ka shkruar Bekim Sali.