Grupi punues me ekspertë nga pala kosovare dhe ajo serbe do të takohen më 21 tetor për çështjen e targave të automjeteve.
Zëdhënësi për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë për Klankosova.tv se këto grupe punuese do të punojnë në takime të rregullta për të gjetur zgjidhjen.
“Takimi i parë i grupit punues me ekspertë nga të dyja palët do të mbahet më 21 tetor 2021. Grupi punues synon të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje dhe pritet të takohet rregullisht”, ka thënë Stano.
Ai gjithashtu tha se takimet në kuadër të dialogut nga kryenegociatorët dhe atyre të nivelit më të lartë do të vazhdojnë në mënyrë të pavarur nga grupi punues dhe për datën e mbajtjes së tyre do të njoftohet në një kohë të përshtatshme.
“Duhet të theksohet se takimi i grupit punues nuk është në nivelin e kryenegociatorëve, por në nivelin e ekspertëve”.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në këtë mbledhje do të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme duke u bazuar në tre parime kryesore: i) zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, ii) të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, iii) dhe nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut.
Kryeziu ka shtuar se në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim.
Për takimin e nesërm ka folur edhe shefi i palës serbe në dialogun teknik, Petar Petkoviq, i cili tha se do të jetë takim siç është rënë dakord në marrëveshjen e nënshkruar më 30 shtator.
“Ne po fillojmë me takimin e parë në të cilin do të diskutohet gjithçka e nevojshme për funksionimin e grupit punues, e cila është e nevojshme për të arritur një propozim për një zgjidhje që duhet të miratohet në një nivel të lartë më vonë”.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Vendimi u prit me protesta dhe vendosje të barrikadave afër pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut.
Situata u shtensionua pas arritjes së marrëveshjes tripikëshe mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga BE-ja. Pika e tretë e kësaj marrëveshje është takimi i grupit punues mes dy shteteve.