Situata e koronës në Gjermani po bëhet shqetësuese, qeveria planifikon të rrisë presionin ndaj të pavaksinuarve.
Kancelarja Merkel në detyrë, në një takim me kryesinë e Unionit Kristiandemokrat,CDU,është shprehur në favor të kufizimeve të përgjithshme për të pavaksinuarit, por kundër një lockdown-i të përgjithshëm. Sipas pjesëmarrësve në mbledhje, Merkel tha se kufizimet mund të shkojnë përtej modelit 2G (lehtësime për të vaksinuarit ose të shëruarit) dhe se nuk përjashtohet mundësia që të pavaksinuarit të testohen çdo ditë në vendin e punës, siç bëjnë të ditur disa media gjermane. Edhe ministri i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn, është për t’i dhënë priroritet vaksinimit. Spahn, i cili u vaksinua vetë për herë të tretë javën e kaluar, është për rihapjen e qendrave të vaksinimit dhe rifreskimin e vaksinimit për të gjithë. Aktualisht në Gjermani janë vaksinuar afro 67% e popullsisë. Spahn, ishte shprehur në fundjavë për rihapjen e qendrave të vaksinimit dhe rifreskimin e vaksinimit për të gjithë.
Se si do të përballet Gjermania në dimrin e dytë të koronës, kjo do të jetë temë debati në Bundestagun e ri, gjatë seancave të jashtëzakonshme, më 11 dhe 18 nëntor. Kryeministri i ri i landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, si kryetar i Konferencës së Kryeministrave të Landeve, tha se do të zhvillojë bisedime me landet për rifreskimin e vaksinimeve për persona mbi 60 vjeç.
Mjekët kritikojnë politikanët
“Shoqata e mjekësve të përgjithshëm” i shikon me skepticizëm thirrje të tilla nga politikanët. Kryetari i saj, Martin Scherer, tha të martën, në një konferencë shtypi në Berlin, se është StiKO (Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit), inistitucioni që përcakton nevojën e vaksinimit.
Kryetari i StiKos, Thomas Mertens, tha se Stiko vazhdon të jetë për rifreskimin e vaksinave vetëm për personat me imunitet të dobët, pra, të moshuarit mbi 70 vjeç dhe të sëmurët. Një rifreksim për të gjithë nuk ka kuptim, përsa kohë që ende nuk është arritur një shkallë vaksinimi prej 80 ose 90 përqind, tha Mertens. Ai ishte gjithashtu për një ritëm të përmbajtur për rifreksimin e vaksinimit të parë, nisur nga nevoja që kanë shumë vende të botës së tretë për vaksinim të dorës së parë.
Shoqatat e mjekëve në përgjithësi, janë të mendimit se korona nuk do të zhduket, por, sikurse gripi, do të jetë pjesë e jetës sonë. Ata kërkojnë që vaksinimi të kalojë te klinikat e mjekëve të përgjithshëm, ndërsa të ulen pengesat burokratike në furnizimin me vaksina.
Saksonia shtrëngon masat
Ndërkohë, disa lande kanë nisur të veprojnë tashmë: nisur nga rritja drastike e numrit të infeksioneve me korona, qeveria e Saksonisë ka vendosur të aplikojë rregullin 2G (të vaksinuar ose të shëruar) për restorantet, eventet në ambientet të mbyllura ose ngjarjet e mëdha, si për shembull ndeshjet e futbollit. Drafti përkatës u diskutua të martën në kabinet dhe pritet të miratohet të premten dhe pritet të hyjë në fuqi javën e ardhshme.
Qëllimi është “parandalimi i pandemisë”, shpjegoi Dagmar Neukirch, Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Çështjeve Sociale në Saksoni. Ajo tha se nëse spitalet mbingarkohen, mund të shpallet edhe një gjendje e jashtëzakonshme.
Numri i infeksioneve të reja me korona në Gjermani ka ardhur duke u rritur ditët e fundit: Të martën, numri i infeksioneve të reja u rrit me 10 813 në 4,6 milionë, sipas të dhënave në faqen e internetit të Institutit Robert Koch (RKI). Numri i vdekjeve u rrit me 81 në 95 833. Incidenca shtatëditore është 153.7.