Ministrat e shëndetësisë të G7 do të mbajnë një takim urgjent të hënën për të diskutuar rreth variantit Omicron të koronavirusit. G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA, dhe aktualisht Mbretëria e Bashkuar mban presidencën.
Takimi vjen në një kohë kur ky variant i ri i virusit është zbuluar në Britani, Gjermani dhe Itali, ndërsa ministri francez i shëndetësisë u shpreh të dielën se ky mutacion ka të ngjarë të jetë duke qarkulluar edhe në Francë.
“Nuk ka ende asnjë rast, por është çështje orësh”, tha Olivier Veran.
“Nën presidencën e Mbretërisë së Bashkuar një takim urgjent i ministrave të shëndetësisë të G7 do të thirret gjithashtu të hënën më 29 nëntor për të diskutuar zhvillimet rreth Omicron,” tha të dielën Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social. /abcnews.al/