Ekspertiza e aksidentit tragjik në Bullgari, që u mori jetën 45 shqiptarëve ka zbuluar detaje të tjera. Sipas Institutit për Siguri Rrugore në Bullgari në këtë zonë dyshohet se ka ndodhur edhe një aksident më parë. Ndaj dhe për këtë arsye dyshohet se barrierat në autostradën “Struma” nuk ishin instaluar sipas standardeve të duhura, pasi mbajtësja e barrierës ishte montuar me dy vida nga katër vida që duheshin. Po ashtu rezulton se në këtë zonë mungon sinjalistika e duhur.
Nga inspektimi është konstatuar se bankinat mbrojtëse të rrugës nuk ishin instaluar sipas standardeve. Në zonën e aksidentit kanë ndodhur aksidente të shumta, gjatë të cilave janë dëmtuar rrethojat mbrojtëse. Në këtë rast, në shiritin e ndarjes së mesme mund të shohim se ka një riinstalim të objektit. Duhet të ketë pasur një aksident të mëparshëm në të njëjtën zonë. Mbajtësi i bankinës është montuar gabimisht me dy vida në vend të katër. Kjo është arsyeja pse është thyer rrethoja mbrojtëse pavarësisht shpejtësisë së ulët me të cilën ka goditur autobusi. Është konstatuar se mungojnë tabelat, si dhe ka shenja të dëmtuara,”– kanë thënë nga Instituti për Siguri Rrugore në Bullgari.
Nga Prokuroria Publike në Shkup nuk tregojnë detaje nëse janë hetuar edhe tre autobusët e tjerë, të cilët ishin në turnin e përbashkët të udhëtimit në natën e aksidentit. Ndërkohë që nesër është vendosur që trupat e pajetë të viktimave të nisen drejt Shkupit për t’u prerë në banesën e fundit.
“Po, nga ana bullgare janë siguruar dy aeroplan transportues ushtarak që do të fluturojnë nesër nga Sofja drejt Shkupit për të sjell trupat e tragjedisë”, ka thënë Angel Angelov, Ambasadori i Bullgarisë në Shkup.
Pas tragjedisë së ndodhur thuajse një javë më parë, identifikimi i viktimave u krye në bazë të analizave të ADN-së. Ndërsa nga ekspertiza e parë për tragjedinë në Bullgari, konstatoi se rruga kishte mungesa, por shkaktar për vdekjen e 45 udhëtarëve ishte zjarri në autobus. Por gjithashtu po hetohet nëse në mjet ka pasur lëndë të dyshimta ndezëse që mund të kenë shndërruar aksidentin në tragjedi.
Aksidenti tragjik u shënua më 23 nëntor, ku si pasojë e flakëve që përfshinë mjetin humbën jetën 45 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe 7 të tjerë u plagosën. Mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë. Për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova shpalli 24 nëntorin ditë zie, ndërsa Maqedonia e Veriut, shpalli tre ditë zie në nder të viktimave, të gjithë shqiptarë.