Ballina Bota Betohet kancelari i ri i Austrisë, Karl Nehammer (VIDEO)

Betohet kancelari i ri i Austrisë, Karl Nehammer (VIDEO)

Ish-ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer është betuar më 6 dhjetor në postin e kancelarit të ri. Nehammer është kancelari i tretë austriak brenda tre muajsh pasi akuzat për korrupsion tronditën Partinë Popullore, të cilës i takon. Kancelari paraprak austriak, Alexander Schallenberg dha dorëheqje më 2 dhjetor pasi paraardhësi i tij dhe aleati i afërt, Sebastian Kurz njoftoi se po tërhiqet nga politika dhe Partia Popullore pas skandaleve me korrupsion. Më 3 dhjetor, partia nominoi Nehammerin, 49-vjeçar për kancelar dhe kryetar të partisë. Detyra e parë e kancelarit të ri ishte kthimi i Schallenbergut në postin që e kishte atë të ministrit të Jashtëm dhe emërimi i ministrave të Financave, të Brendshme dhe Arsimit.

https://youtu.be/SJf0tzNV8XA

Ndarjet për shkak të pandemisë

Duke folur për gazetarët pas ceremonisë së betimit në postin e kancelarit, Nehammer pranoi se ka shumë punë për të bërë për të nxjerrë vendin nga izolimi që hyri në fuqi në Austri nga 22 nëntori si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të të infektuarve me COVID-19. Izolimi do të duhej të përfundonte në fundjavë por Nehammer tha se do të konsultohet me ekspertët dhe opozitën ditët në vazhdim rreth hapave të ri. Austria po ashtu planifikon ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit. Masat e fundit kundër pandemisë kanë ngjallur reagim të opozitës sidomos Partisë djathtiste të Lirisë (FPOe). Derisa premtoi se do t’i dëgjojë të gjitha shqetësimet, Nehammer bëri thirrje për unitet duke shtuar se ‘ndarja i dëmton të gjithë qytetarët’.

https://youtu.be/RxPUBjRNFLQ