Qendra e Punësimit në Tetovë është rinovuar dhe tani ka pamje të re, nga ku është rritur edhe funksionaliteti i saj, përmes së cilës pritet të përfitojnë drejtpërsëdrejti të punësuarit, punëdhënësit dhe punëtorët e kësaj Qendre, hapësirat e rinovuara të së cilës do jenë në shërbim të qytetarëve që nga dita e enjte. Deri në ditën e sotme sipas Fatmir Sabriut, shefit të kabinetit të APRMV-së në Qendrën e Punësimit në Tetovë janë evidentuar rreth 18,500 banorë, ndërkaq në nivel të rajonit të Pollogut papunësia është 24.8%. Për krahasim, në rajonin Lindor papunësia është rreth 8%, shkruan Portalb.mk.
Papunësia është çështje serioze për shkak të rinjtë po ikin në vendet e Evropës për një të ardhme më të mirë. Sabriu nga Agjencia për Punësim thotë ata se çdo vit përkushtohen që nëpërmjet planit operativ për programet dhe masat për punësim të ndajnë mjete për punësimin e të rinjve dhe kyçjen e të rinjve në tregun e punës.
“Deri me 6 dhjetor përmes masës aktive garancioni për të rinjtë, 2,340 të rinj deri në moshën 29 vjeçare janë punësuar në Qendrën e Punës në Tetovë. Gjithashtu edhe në kuadër të vetëpunësimit 170 persona prej të cilëve mbi 60% janë persona deri në moshën 29 vjeçare, kanë filluar biznesin e tyre përmes grantit nga Agjencia për Punësim. Gjithashtu edhe përmes subvencionimit të pagës, krijimit të vendeve të reja të punës, mbi 200 persona janë kyçur në tregun e punës vetëm në Tetovë.” tha Sabriu.
Tetova është qyteti i dy universiteteve dhe kjo menjëherë asocon në atë se a kanë bashkëpunim Agjenciai për Punësim me universitetet.
Lumturije Mehemedi Sinani, udhëheqëse e Qendrës së Karrierës në UEJL për Portalb.mk tha se në planin operativ të Agjencisë për punësim, një pjesë e masave të paraqitura në të janë masa që ju dedikohen të rinjve deri në moshën 29 vjeçare, ku bëjnë pjesë edhe studentët e diplomuar. Sipas saj, garancia për të rinjtë, mbështetja e vetëpunësimit (sipërmarrësisë) si dhe programet tjera për avancim të njohurive dhe shkathtësive (digjitale ose të tjera) janë programe që janë të dedikuara të ndihmojnë dhe lehtësojnë depërtimin në treg të të rinjve duke përfshirë edhe studentët e diplomuar. Këto programe nuk janë të fokusuara drejtpërsëdrejti te studentët e diplomuar por, në mënyrë indirekte e ndihmojnë punësimin e tyre.
“Mund të them lirisht që kemi bashkëpunim me Agjencinë për Punësim dhe Qendrën e punësimit në Tetovë. Në nivel të qendrës së karrierës bashkëpunim kemi në pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme si panaire, panel diskutime, si dhe në projekte tjera specifike. Nuk kemi matje për këtë por, supozoj që kemi studente të diplomuar që janë punësuar ose vetëpunësuar përmes masave dhe shërbimeve që ofrohen nga ky institucion.” tha Mehmedi Sinani.
Ndërsa, Sabriu i pyetur për këtë nga Portalb.mk tha se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me qendrën Ican dhe shumë qendra tjera rinore në territorin e Maqedonisë së Veriut. Që në kohë sa më të shpejtë të bëjnë kyçjen e të rinjve në tregun e punës.
Ndryshe, rinovimi i Qendrës së Punësimit në Tetovë është financuar nga Bashkimi Evropian përmes projektit “BE-ja për të rinjtë”. Ky projekt në total kushtoi 18,61 milion denarë. Qendra e Punësimit në Tetovë tani ka fasadë të re të ndërtesës, është ndryshuar konstruksioni i kulmit të ndërtesës dhe dritaret, me çka është zmadhuar efikasiteti energjetik i tërë objektit. Është siguruar edhe koftori me peleti i cili dukshëm do të zvogëlojë harxhimet e ngrohjes së objektit, i cili është ngrohur me energji elektrike. Gjithashtu është rinovuar rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit.