Ballina Aktualitet Në vend të kontratës, vitin e ardhshëm tender i ri për ndërtimin...

Në vend të kontratës, vitin e ardhshëm tender i ri për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë dhe Manastir

Në vend të nënshkrimit të kontratave me ofertuesit më të favorshëm dhe fillimit të ndërtimit, bëhet rishikimi i dokumentacionit teknik dhe i tenderit dhe do të ketë shpallje të tenderit të ri ndërkombëtar. Ky është epilogu famëkeq i projekteve për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në Manastir dhe Tetovë, për të cilat në pranverë qeveria qendrore pat njoftuar se deri në fund të vitit 2021 do të nënshkruhen kontratë me kompanitë që do t’i ndërtojnë këto  objekte kapitale, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Dokumentacioni teknik dhe i tenderit është rishikuar dhe është dorëzuar për miratim në Ministrinë e Financave – CFCD, e më pas do të miratohet nga DEU, pas çka do të mund të publikohet dhe të fillojë procedura e tenderit në vitin 2022”, thanë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me ndërtimin e dy impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Manastir dhe Tetovë.

Ajo që tashmë dihet është se dy tenderët e mëparshëm për ndërtimin e impianteve janë anuluar, pasi asnjë nga ofertat e dorëzuara nga kompanitë nuk i kanë plotësuar kushtet e tenderit. Përsëritja e tërësishme e procedurës së tenderit nënkupton shtyrjen e realizimit të tenderit për më shumë se një vit, periudhë kohore që nevojitet për të zbatuar sërish tenderin.

Ndryshe, ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Manastir dhe Tetovë janë projekte kapitale që me vite të tëra premtohen nga autoritetet. Për Manastirin, studimi i ndikimit në mjedis për këtë projekt kapital është përgatitur qysh në vitin 2016, ndërsa autoritetet komunale të Tetovës e kanë pastruar lokacionin afër fshatit Falishë qysh në vitin 2019.

Me impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Manastir duhet të përmblidhen fekalet nga Manastiri dhe vendbanimet përreth, të cilat aktualisht derdhen në lumin Dragor dhe Kanalin e Pestë të patrajtuara. Projekti i financuar nga Programi IPA 2 i BE-së e kap shumën 27,8 milionë euro dhe duhet të përmbledh trajtimin e ujërave të zeza urbane në këtë komunë. Objekti në Manastir duhet të ndërtohet në zonën e fshatit Orizare e Poshtme.

Ndërsa në Tetovë do të ndërtohet impiant për trajtimin e ujërave të zeza në vlerë prej 30 milionë euro, që duhet të sigurojë trajtim dytësor të ujërave të zeza urbane nga Tetova dhe rrethina. Kështu, në të ardhmen fekalet nuk do të shkarkohen drejtpërdrejt në lumin Vardar.

Afati i planifikuar për ndërtimin e dy impianteve në Manastir dhe Tetovë ishte viti 2024, ndërsa realizimi i tyre do të rriste cilësinë ekzistuese të ujërave të lumenjve Dragor dhe Vardar në këto dy qytete.

Nëse marrim parasysh se afati për punimet ndërtimore është 24 muaj, duke përfshirë 12 muaj shtesë si periudhë për raportimin e defekteve në objektin e ndërtuar, tashmë është e sigurt se me tenderin e ri do të ketë një tejkalim serioz të afateve për ndërtimin e impianteve të trajtimit në të dy qytetet.

Meta.mk tashmë ka shkruar se, sipas të dhënave të Eurostat-it dhe Entit Shtetëror të Statistikave Maqedonia së bashku me Serbinë dhe Kosovën, janë në fund të Evropës sipas përqindjes së popullsisë që ka qasje në të paktën trajtimin dytësor të ujërave të zeza urbane. Në vitin 2018, vetëm 21.7 për qind e ujërave të zeza urbane në vendin tonë iu nënshtruan pastrimit përpara se të derdheshin në lumenj, liqene dhe ujëra nëntokësore.

Kjo pasqyrë negative mund të ndryshojë dukshëm, përkatësisht përqindja e ujërave të zeza urbane të trajtuara të rritet në mbi 50 për qind, nëse përshpejtohet realizimi i impianteve në tri qytetet më të mëdha të vendit – Shkup, Manastir dhe Tetovë.