Me indeksin e cilësisë së ajrit 249 të shërbimit botëror të monitorimit të ndotjes së ajrit IQAir, kryeqyteti i vendit sot renditet i katërti ndër qytetet më të ndotura në botë. Politikanët fajësojnë njëri tjetrin për ndotjen e ajrit, Shilegov fajson Arsovskën, ndërsa VMRO fajin e hedh te LSDM, transmeton 360 Shkallë.
Ndër të parët që reagoi ishte ish-kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili postoi një fotografi të një prej stacioneve matëse duke u ankuar për cilësinë e ajrit.
Kryetarja aktuale e Shkupit, Danella Arsovska, sot është përgjigjur se për dallim nga më parë, ky problem do të jetë prioriteti i parë i administratës së re të qytetit, ajo tha se është e turpshme që personi, i cili 4 vite nuk ndërmori asnjë masë sistemore për luftimin e ndotjes, tani të ankohet për gjendjen.
Ka reaguar edhe VMRO-DPMNE, e cila e ka akuzuar LSDM-në se nuk ka ndërmarrë masa thelbësore për të luftuar ndotjen, as në nivel qendror e as në atë lokal.
“Shilegov mburrej se e ka pastruar ajrin, por 4 vjet pasivitet kanë sjellë ajër maksimal të ndotur. Katër vite gjumi i LSDM-së solli ajrin më të ndotur në rajon dhe Evropë. Për katër vite LSDM nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e ndotjes së ajrit, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Edhe këtë vit qeveria nuk po planifikon asgjë thelbësore në drejtim të mjedisit dhe luftës kundër ndotjes së ajrit. Me LSDM vendi po fundoset. Përmirësimet kërkojnë ndryshime në nivelin qendror. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme”, thanë nga VMRO-DPMNE.
LSDM, nga ana tjetër, u përgjigj se VMRO-DPMNE nuk ka të drejtë të flasë për ndotje. Sipas tyre, rezultatet nga stacionet matëse kanë treguar se masat për uljen e ndotjes së ajrit në kohën e pushtetit të qytetit të LSDM-së në vitet e kaluara kanë dhënë rezultate dhe ndotja e ajrit është zvogëluar.
“Përderisa VMRO-DPMNE inkurajoi ndotjen, qeveria qendrore dhe autoritetet lokale të LSDM-së në vitet e fundit kanë zbatuar masa për uljen e ndotjes së ajrit, si subvencionimi i inverterëve, 110 km shtigje për biçikleta, shumë gjelbërim, parqe të reja etj. Ndotja e ajrit është ulur me 33% në katër vitet e fundit. Këtë e vërtetojnë shifrat nga matjet e grimcave PM10 në stacionet matëse në Shkup. Në vitin 2015 mesatarja ishte 71.30, ndërsa në vitin 2020 47.70. Vlera mesatare maksimale ditore e grimcave PM10 në janar 2015 ka qenë 560, në vitin 2017 508, dhe në vitin 2021 vetëm 162. Sado që të tentojnë të manipulojnë opinionin, VMRO-DPMNE nuk mund t’i përgënjeshtrojë dhe shtrembërojë numrat”, thanë nga LSDM.
Ndryshe, sipas stacioneve matëse të cilësisë së ajrit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që janë në funksion, përveç në Shkup, ndotje e lartë është regjistruar edhe në Tetovë, Kumanovë, Kërçovë, Kavadar, Gjevgjeli, Strumicë, Koçan etj.