Ballina Aktualitet Raporti i AFP për Maqedoninë e Veriut: Emigrim masiv i të rinjve...

Raporti i AFP për Maqedoninë e Veriut: Emigrim masiv i të rinjve për një jetë më të mirë

Dyqanet e braktisura dhe rrugët kryesisht të zbrazëta japin pak shenja të jetës në Vallandovë,  në Maqedoninë e Veriut, ku të rinjtë me të madhe po ikin duke shpresuar se do të gjejnë jetë më të mirë jashtë vendit; kështu e nis raportin për vendin tonë, agjencia franceze AFP.

Në tekst theksohet se, sikurse pjesa më e madhe e këtij cepi të varfër të Evropës Juglindore, ky komb i vogël ballkanik qëndron mbi një bombë me sahat të kurdisur demografik, që nxitet nga një mplakja e popullsisë, rënia e lindjeve dhe migrimi masiv. Të dhënat e Bankës Botërore dhe Qeverisë tregojnë se rreth 600.000 qytetarë të Maqedonisë tani jetojnë jashtë vendit. Rritja e dobët ekonomike dhe mungesa e investimeve e kanë kapluar vendin i cili sot, në 30 vitet e tij të pavarësisë, është shtëpi e vetëm 1.8 milionë banorëve,.

“Nëse keni pak më shumë se 2.4 milionë qytetarë, ndërsa më shumë se një e katërta janë larguar, atëherë duhet të shqetësoheni seriozisht për atë që ndodh”, thotë Apostol Simovski, drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.

AFP shton se fshatrat dhe qytetet e vogla si Vallandova ofrojnë pak vende pune, që i shtyn njerëzit ambicioz dhe të aftë të kërkojnë punë diku tjetër.

“Shpirti i rinisë është shkatërruar sistematikisht. Entuziazmi për të luftuar dhe për të qëndruar në shtëpi ka humbur,” deklaroi për AFP, kryetari i sapo zgjedhur i komunës, 33-vjeçari Pero Kostadinov.

Vetëm në Vallandovë, pothuajse 90 për qind e të ardhurave të njerëzve lidhen me bujqësinë, thuhet në tekstin e agjencisë franceze.

Anekdota e njohur në këtë vend jep pasqyrë të qartë se kah po shkon e ardhmja e tij, thotë autori i tekstit.

“Më mirë të jem skllav në vend të huaj”.

Qysh nga pavarësia dhe shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991, shumë njerëz shpresonin që integrimi në Bashkimin Evropian do të siguronte një barkë shpëtimi dhe premtime për të ardhme më të ndritshme.

Por rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE vazhdimisht bllokohej, së pari nga Greqia e më vonë nga Bullgaria, që ka rezultuar me dyshime të reja se vendi do të bashkohet ndonjëherë, duke shtyrë kështu shumë njerëz të hidhen nga anija.

Për ata që qëndrojnë në vend, paga mesatare mujore është 470 euro (530 dollarë).

Teksti përfundon me konstatim se fotografia e këtillë vlen për të gjithë Ballkanin.