Ballina Bota Analiza Lufta do ta fundoste Vladimir Putinin, shumica e rusëve janë kundër sulmit...

Lufta do ta fundoste Vladimir Putinin, shumica e rusëve janë kundër sulmit ndaj Ukrainës

Nga Ilna Berman “Newsweek

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Sa e qëndrueshme është mbështetja e brendshme e presidentit rus Vladimir Putin? Kjo është një pyetje që ia vlen të shtrohet, në kulmin e tensioneve të përshkallëzuara midis Moskës dhe Perëndimit, dhe gjasave në rritje të një sulmi ushtarak mbi Ukrainën. Gjatë javëve të fundit, grumbullimi i trupave ushtarake ruse përballë Ukrainës ka ndezur debate të forta në Uashington dhe kryeqytete të tjera, përsa i përket mënyrës së duhur për të nisur një luftë të re në Evropë.

E megjithatë, deri më sot, të gjitha argumentet përkatëse – si ato në favor të mbështetjes së Ukrainës dhe NATO-s, po ashtu edhe ato kundër tyre – kanë një emërues të përbashkët. Ata kanë supozuar se planet e luftës së Kremlinit, janë një ndërmarrje popullore kombëtare, e mbështetur nga një pjesë e gjerë e popullit rus.

Ndaj për pasojë, Putin ka “leje” të vazhdojë me planin e tij të pushtimit. Por nga ana tjetër, ka prova në rritje se gjërat mund të mos jenë vërtet kështu. Në fund të janarit, më shumë se 2.000 intelektualë rusë bënë publike një deklaratë të përbashkët, ku i kërkonin Kremlinit që të shmangte nisjen e një lufte kundër fqinjit të Rusisë.

Në Deklaratën e Kongresit të Intelektualëve Rusë, thuhej ndër të tjera se “Rusia nuk ka nevojë të nisë luftën me Ukrainën dhe Perëndimin”. “Askush nuk po na kërcënon, askush nuk po na sulmon. Politika e bazuar në promovimin e idesë së një lufte të tillë është imorale, e papërgjegjshme dhe kriminale, dhe nuk mund të zbatohet në emër të popujve të federatës ruse”- thuhej ndër të tjera në atë deklaratë.

Vetëm disa ditë më vonë, një grup tjetër intelektualësh, përfshirë figura të shquara kombëtare si politologu Andrey Piontkovsky, sociologu Lev Gudkov dhe politikani Grigory Yavlinsky, bënë të njëjtën thirrje në një artikull të botuar në faqet e “The New York Review of Books”.

Thelbi i letrës së tyre të hapur, e cila u nënshkrua nga afro 90 intelektualë, ishte denoncimi:kjo luftë po përgatitet nga Kremlini pa pëlqimin e popullit rus. “Nuk ka asnjë debat publik. Televizioni shtetëror paraqet vetëm një këndvështrim, atë të luftë-nxitësve”- shkruanin ata.

“Kërcënimet e drejtpërdrejta ushtarake, agresioni dhe urrejtja po shenjestrojnë Ukrainën, SHBA-në dhe Perëndimin. Por aspekti më i rrezikshëm, është se lufta po përshkruhet jo vetëm si e lejueshme, por si e pashmangshme.

Kjo është një përpjekje për të mashtruar popullin rus, për t’i imponuar atij idenë e nisjes së një kryqëzate kundër Perëndimit, në vend se qeveria të fokusohet në investimin e zhvillimit të vendit dhe përmirësimin e standardeve të jetesës. Kostoja e konfliktit nuk diskutohet kurrë. Por kostoja -e madhe dhe e përgjakshme – do të paguhet nga rusët e zakonshëm”- theksohej më tej në atë letër.

Por këto ndjenja nuk ndahen vetëm nga inteligjencia ruse. Frika e pasojave potencialisht të tmerrshme, që vijnë si pasojë e një sulmi të ri ushtarak kundër Ukrainës, po jehon tani edhe brenda radhëve të ushtrisë ruse. Gjenerali Leonid Ivashov, kreu me ndikim i Asamblesë së Zyrtarëve Ushtarakë Rusë, një organizatë joqeveritare e përbërë nga ushtarakë të dalë në pension, bëri një apel publik në fund të muajit janar kundër konfliktit të mundshëm.

Në deklaratën e tij Ivashov vuri në dukje se Rusia (dhe më parë Bashkimi Sovjetik), ka zhvilluar luftëra të drejta “kur nuk kishte rrugëdalje tjetër”, dhe “kur kërcënoheshin interesat jetike të shtetit dhe shoqërisë”. Ndërkohë sot kërcënimet e jashtme “nuk janë kritike”, se “po ruhet stabiliteti strategjik me NATO-n”, dhe se problemet kryesore të Rusisë “janë të brendshme”.

Sipas Ivashov, një sulm ndaj Ukrainës “do të jetë një sfidë për ekzistencën e vetë Rusisë si shtet”, dhe “do t’i bëjë përgjithmonë armiq rusët dhe ukrainasit”. Ai paralajmëroi se pasojat për Rusinë, do të jenë potencialisht të tmerrshme:bashkësia ndërkombëtare do ta cilësojë njëzëri Rusinë si një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe do të angazhohet për ta zhbërë sovranitetin e saj.

Gjithashtu, Ivashov vuri në dukje se politika lokale dhe popullariteti në rënie, po e shtyjnë vendimmarrjen e presidentit rus Vladimir Putin drejt nxitjes së një konflikti të ri, teksa theksoi se populli rus duhet të “refuzojë politikën kriminale të provokimit të luftës”.

Edhe vendimmarrësit rusë kanë filluar të logjikojnë. Thuhet se agjencitë amerikane të inteligjencës, kanë përgjuar komunikimet midis zyrtarëve të Kremlinit. Ata shprehen të shqetësuar se një pushtim në shkallë të gjerë i Ukrainës, mund të jetë më i vështirë për t’u realizuar sesa mendohet paraprakisht, dhe se ai do të ketë pasoja më të pafavorshme ekonomike dhe politike sesa parashikon Moska.

Sigurisht, asnjë nga këto kundërshtime, mund të mos mjaftojë për të ndryshuar trajektoren aktuale që po ndjek të Rusia. Tre muaj më parë, Putin filloi grumbullimin e forcave të tij në kufi me Ukrainën, si një mënyrë për ta zgjeruar ndikimin e tij mbi një Perëndim të përçarë, dhe për ta rikonfiguruar sigurinë evropiane në favorine tij.

Por ngërçi i vazhdueshëm diplomatik me NATO-n, dhe kostot ekonomike në rritje të këtij dislokimi të zgjatur, mund ta detyrojnë atë të vendosë të ndërmarrë veprime më drastike në javët në vijim. Megjithatë, për të mbetur në pushtet Putini mbështetet tek konsensusi i elitave kryesore në Rusi.

Dhe kundërshtimet e brendshme në të gjithë spektrin politik të vendit, sugjerojnë se të paktën disa nga mbështetësit e presidentit rus, kanë arritur të besojnë se kostot e aventurizmit të tij të planifikuar kundër Ukrainës, do të tejkalojnë çdo lloj përfitimi të mundshëm. Dhe kjo më shumë se çdo kërcënim perëndimor, mund të jetë e dobishme për ta bërë Putinin të dyshojë nëse duhet të vazhdojë me planin apo të tërhiqet. /abcnews.al