Gazetat që mbështesin qeverinë serbe përshëndetën pushtimin rus të Ukrainës në faqet e tyre të para të premten, 24 orë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi sulmin e tij ushtarak.
Informer dhe Alo në faqet e tyre të para kishin lajme që pretendonin se Rusia “mbërriti në Kiev brenda një dite”, ndërsa titulli kryesor në faqen e parë të Objektiv thoshte “Rusët pushtuan Ukrainën brenda një dite”.
Titulli kryesor i Vecernje Novosti ishte “Grusht shteti rus në përgjigje të kërcënimeve të NATO-s”.
Sprski Telegraf shkruante “Putini po përgatit ‘Satanin’ (raketën balistike ndërkontinentale ruse R-36) për Evropën” së bashku me një foto të presidentit rus me uniformë ushtarake.
Politika e hapi me “Gjendje lufte në Ukrainë”, duke thënë se “Putini miratoi një operacion ‘çmilitarizimi dhe denazifikimi’” dhe duke cituar vetëm burime ruse për luftën në vazhdim. Zyrtarët rusë shpesh kanë e akuzuar qeverinë ukrainase të Volodymyr Zelensky, i cili është hebre, si fashiste.
Ndërkohë Danas dhe Nova, të cilët shihen si kritikë ndaj qeverisë, raportuan kryesisht për heshtjen e zyrtarëve serbë për sulmin rus në Ukrainë.
Presidenti Aleksandër Vuçiç, një aleat i Putinit, i cili po kërkon gjithashtu anëtarësimin në BE për Serbinë, ende nuk e ka shprehur qëndrimin e tij zyrtar për pushtimin rus të Ukrainës.
Mediat kryesore serbe, të cilat zakonisht janë pro Putinit, vazhduan ta mbështesin atë pasi ai njohu pavarësinë e dy rajoneve të shkëputura të Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk, më 21 shkurt.
Tabloidi Informer shkoi edhe më tej të martën, duke publikuar një titull në faqen e parë që pretendonte se “Ukraina sulmoi Rusinë”.
Ai pretendoi se “ukrainasit bombarduan një pikë kontrolli kufitar pranë Rostovit, 150 metra brenda territorit rus” dhe “forcat speciale ruse eliminuan pesë diversantë ukrainas që u përpoqën të kalonin kufirin” – pretendime që janë mohuar fuqishëm nga qeveria ukrainase.
Më 22 shkurt, tabloidi Kurir publikoi një artitull duke pretenduar se “Rusia ka bërë gjithçka që mundet për paqen në Ukrainë”.
Të nesërmen, 24 orë para fillimit të pushtimit rus, Vecernje Novosti raportoi qartë se Putin tha se Rusia “nuk po ndërton një perandori dhe do të ishte më mirë që Kievi të hiqte dorë nga dëshira për t’u anëtarësuar në NATO”.
Të enjten, ditën e fillimit të pushtimit, Informer citoi ish-presidentin amerikan Donald Trump, të thoshte se “Putini është një gjeni, ai na mashtroi të gjithëve”. Me përjashtim të Trump, Putin ishte i vetmi lider botëror i cituar në tabloidet pro-qeveritare, dhe i vetmi, fotografia e të cilit ishte printuar në faqet e tyre të para.
Ndërkohë, tabloidi Kurir pretendoi se pas konfliktit “është lufta për energjinë: Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur konfliktin për të provuar të vënë në zbatim një plan afatgjatë për të reduktuar varësinë e gazit nga Rusia”.
Për shkak të lidhjeve të forta të Serbisë me Rusinë, shumë nga titujt e gazetave serbe kishin të bënin gjithashtu me hapat e ardhshëm të Beogradit për sa i përket përgjigjes së tij ende të paqartë ndaj luftës në Ukrainë. Presidenti Vuçiç është i vetmi lider evropian që nuk ka mbajtur qëndrim për pushtimin rus, deri më tani.
Mbrëmjen që Putini njohu dy territoret separatiste, Vuçiç tha se 80 për qind e mediave të Serbisë janë “gjithmonë, pavarësisht se çfarë ndodh, në anën ruse”, ndërsa “20 për qind, ata gjithashtu nuk kanë qasje të paanshme dhe objektive, janë apriori kundër rusëve”.
Ai gjithashtu pohoi se Serbia është nën presion për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe shprehu shqetësimet për ndikimin që mund të ketë kjo në ekonominë e vendit të tij.