Trupat e ushtarëve rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, janë duke mbushur morgjet në Bjellorusi, ka thënë një banor lokal për Radion Evropa e Lirë.
Ushtarët e vdekur rusë janë duke u dërguar me kamionë nëpër morgje dhe më pas po dërgohen në Rusi me trena apo aeroplanë, kanë thënë banorët.
Ata e kanë përshkruar tmerrin kur kanë parë gjithë ata trupa të vdekur në një tren, i cili i ka transferuar trupat në Rusi.
“Numri i trupave është jashtëzakonisht i madh. Njerëzit në stacionin Mozir kanë qenë të shokuar me numrin e trupave në tren”, ka thënë një banor i Mozirit për Radion Evropa e Lirë.
Morgjet në Homel dhe Naroulia janë duke u mbushur po ashtu, kanë thënë banorët.
Mjekët bjellorusë janë kërcënuar me humbje të vendeve të punës nëse kapen duke përhapur informacione për ushtarët e vrarë apo të plagosur nga Rusia.
Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se disa mijëra ushtarë rusë kanë vdekur në luftën që ka hyrë në javën e tretë./REL