Ballina Bota Prapaskena / Takimi në Romë i shërbimeve të fshehta: Pas një muaji,...

Prapaskena / Takimi në Romë i shërbimeve të fshehta: Pas një muaji, Putini do jetë pa burime

Forcat pushtuese të Vladimir Putinit kanë ende 3-4 javë autonomi. Pas kësaj, ata nuk do të kenë më burimet për të vazhduar armiqësitë në Ukrainë: pa armë, pak ushqime, vështirësi në përforcimin e trupave, të shënuara nga humbje të papritura. Prandaj plani i terrenit tashmë ka ndryshuar në krahasim me parashikimet fillestare. Projekti është të pushtojë të gjithë Donbasin, sigurisht, me Mariupolin që duhet të bjerë në 72 orët e ardhshme. Por për momentin hipoteza e marrjes së Kievit dhe pjesës tjetër të vendit duket se ka marrë fund. Ideja ruse, nga ana tjetër, është që këtë muaj të zgjatet sa më shumë në frontin jugor, drejt Odesës. Dhe më pas të ndalet, për të qenë në gjendje të pretendojë pushtimet e bëra në paradën e 9 majit, kur trupat ruse do të parakalojnë si çdo vit në Sheshin e Kuq në Moskë, për të festuar humbjen naziste përballë Ushtrisë së Kuqe. “Ata do të mundohen ta shesin si fitore, por në realitet gjithë kjo shënon triumfin e rezistencës ukrainase: kjo është arsyeja pse ne nuk duhet ta braktisim absolutisht qeverinë Zelensky”.

Analiza është ajo që shërbimet e fshehta perëndimore kanë artikuluar në sekret të plotë gjatë një samiti që u mbajt dhe në Romë, në Forte Braschi. Në tryezë ishte drejtori i CIA-s, WilLiam Burns. Pranë tij kishte direjtori i shërbimit italian, Giovanni Caravelli. Dhe udhëheqësit e shërbimeve sekrete të jashtme angleze, gjermane dhe franceze.

Ndërsa në Bruksel zhvillohej samiti i NATO-s dhe takimi SHBA-BE, në Romë po mbahej mbledhja e parë operative që nga fillimi i kësaj lufte të forcave të sigurisë. Dhe fakti që ishte në Itali nuk ishte rastësi: Burns kishte zgjedhur vendin, duke ardhur nga një turne në vendet e tjera kyçe të lojës ukrainase (kishte qenë në Turqi dhe Izrael), duke konfirmuar edhe në këtë moment aleancën Atlantike. Takimi i shërbimeve të inteligjencës është në fakt ngjarja e dytë vendimtare – një rrethanë që bëri që britanikët të ngrinin supet – e cila zhvillohet në Itali brenda dy javësh: më 14 mars në Romë, këshilltari për sigurinë kombëtare i Biden, Jake Sullivan, u takuar me homologun kinez, Yang Jiechi.

Takimi në Romë ishte gjithashtu vendimtar për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në javët në vijim. Inteligjenca ka krahasuar informacionet për të pasur një pamje sa më të qartë të dislokimeve në terren. Dhe për të qenë në gjendje të parashikojnë se çfarë mund të ndodhë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

Pikënisja është një: në këtë fazë të parë të luftës, shumica e parashikimeve që Putini dhe ushtria e tij kishin bërë kanë dështuar. “Ata po humbasin.” Ata po mendonin për një blitzkrieg, me rrëzimin e Zeelenskyt, dhe kjo nuk ndodhi. Trupat ruse – sipas rindërtimit që është bërë në mbledhje – janë rraskapitur, aq sa nuk do të mund të përparonin. Prandaj, të gjitha forcat ruse, siç njoftoi kreu i drejtorisë operacionale të shtabit të mbrojtjes, Serghei Rudskoy, do të përqendrohen në marrjen e Donbassit. Fronti i Kievit, nga ana tjetër, duket i braktisur tashmë. Sepse rezistenca ukrainase ishte shumë e fortë dhe sepse trupat ruse rrezikojnë të bllokohen brenda qytetit, të shtrënguara nga ushtria dhe vullnetarët e Zelenskyt.

Sigurisht, çdo plan mund të ndryshojë në një çast. Por është e sigurt që ushtarët rusë janë të lodhur dhe mbi të gjitha pak: vlerësimi, shumë i kujdesshëm (shumë, sipas disave), i vënë në tryezë nga shërbimet tona të sigurisë, është tre mijë të vdekur dhe tetë mijë të plagosur mes rusëve. Në kufij nuk duket se ka trupa të reja të gatshme për të ndërhyrë. Për momentin duket se ka një avantazh të armëve ukrainase në terren: sipas vlerësimeve të aleatëve, për çdo tank rus ka 11 armë kundërtank të Kievit. Për më tepër, nuk ka shenja të përdorimit të armëve bakteriologjike. Në këto javë, është e mundur që i vetmi front aktiv për ushtrinë ruse të jetë ai jugor, më afër Detit të Zi, me idenë – shumë të vështirë – për marrjen e Odesës.

Përtej analizës, takimi në Romë solli një fakt politik: një përgjigje të koordinuar dhe të unifikuar nga të gjitha vendet perëndimore. Nuk është për t’u habitur që u fol edhe për të ardhmen: çfarë do të ndodhë pas 9 majit, kur do të duhet të ulemi në negociata me Putinin?

“Është e rëndësishme – u tha – të arrijmë në një pozicion force. Dhe për këtë nuk mund ta braktisim qeverinë ukrainase: ne duhet ta çojmë qeverinë ruse në një pikë thyerjeje dhe ushtrinë e saj në rraskapitje operacionale, që i jep fund këtij agresioni”.

Në diskutim u ngrit edhe çështja e sanksioneve: çfarë të bëjmë nëse konflikti ndalet përfundimisht? Së shpejti për një përgjigje. Të gjithë protagonistët e “tavolinës së Romës” do të takohen sërish pas dy javësh. Ndoshta në Londër ose Paris. / La Repubblica – Bota.al