Spinaqi është perime e gjelbër që i përket grupit të ushqimeve me përbërje të mirë ushqyese. Është i pasur me antioksidantë dhe ka veçori antikancerogjene.
Spinaqin e gjen gjatë gjithë stinëve të vitit, veçanërisht gjatë dimrit. Mund ta përgatitni si sallatë, ta hani para gjellës, por edhe ta konsumoni si ushqim kryesor. Spinaqi bën mirë për shëndetin. Po ju përmendim disa nga cilësitë e tij.
Spinaqi është i pasur me fitonutrientë që parandalojnë shumë sëmundje. Nuk ka shumë kalori dhe përqindje të ulët të yndyrave (100 g spinaq i freskët përmban vetëm 23 kalori).
Përmban shumë fibra dhe është një nga ushqimet që ju ndihmon të dobësoheni, por edhe rregullon nivelin e kolesterolit.
100 g spinaq i freskët përmban rreth 25 për qind të vlerës së përgjithshme të rekomanduar ditore të hekurit. Spinaqi është një nga burimet më të mira të hekurit, i cili është i rëndësishëm për prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut.
Spinaqi i freskët përmban vitamina antioksidante A dhe C, luteinë dhe beta karoten. Të gjitha këto janë një mbrojtje e mirë kundër sëmundjeve. Reduktojnë nivelin e radikaleve të lira në trup dhe luajnë rol të rëndësishëm në riparimin e dëmit të shkaktuar nga veprimi i radikaleve të lira.
Spinaqi bën shumë mirë për sytë. Mbron nga sëmundjet e syve të shkaktuara nga plakja, siç është degjenerimi makular. Spinaqi përmban vitaminën K. Vetëm 100 g spinaq i freskët ofron madje 402 ug të vlerës së rekomanduar ditore të vitaminës K. Vitamina K forcon kockat dhe shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se mund të luajë një rol kyç në parandalimin e sëmundjes së Alzhajmerit.
Kjo perime me gjethe të gjelbra përmban vitaminë B, B6, timinë (B1), riboflavinë, acid folik dhe niacinë. Acidi folik mund të parandalojë krijimin e çrregullimeve të lindura te foshnjat. Spinaqi është i pasur me minerale, si: kaliumi, magnezi, mangani, zinku dhe bakri. Kaliumi është i rëndësishëm për furnizimin e qelizave me ujë, rregullon rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut; mangani dhe bakri shërbejnë për përmirësimin e veprimit të antioksidantëve. Bakri është i nevojshëm për trupin për të prodhuar rruazat e kuqe të gjakut. Zinku është i nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin, prodhimin e spermës cilësore dhe përmirësimin e tretjes.
Spinaqi përmban acide yndyrore omega 3, të cilat përmirësojnë përqendrimin, sistemin kardiovaskular, parandalojnë sëmundjet e zemrës dhe infarktin në zemër.