Ballina Bota Stoltenberg: Finlanda dhe Suedia do të mirëpriten “krahëhapur” në NATO

Stoltenberg: Finlanda dhe Suedia do të mirëpriten “krahëhapur” në NATO

Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg kanë dhënë një konferencë të përbashkët për mediat në Bruksel. Ata folën për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë duke thënë se janë të mirëpritura nëse vendosin të aplikojnë, sipas The Guardian.

“Natyrisht, i takon Finlandës dhe Suedisë të vendosin nëse do të dëshironin të aplikonin për anëtarësim në NATO. Por nëse vendosin të aplikojnë, Finlanda dhe Suedia do të priten me krahëhapur nga NATO.  Finlanda dhe Suedia janë partnerët tanë më të ngushtë,” tha Stoltenberg.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për vendosjen e  sanksioneve të mëtejshme dhe do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për zbatimin e paketave aktuale të sanksioneve në mënyrën më të mirë dhe më efektive,” theksoi Metsola.

Finlanda dhe Suedia do të aplikojnë në muajin Maj për t’u anëtarësuar në NATO.  Vendet nordike kishin zgjedhur të qëndronin jashtë aleancës ushtarake, edhe pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Por sulmi ushtarak rus ndaj Ukrainës, ka detyruar Suedinë dhe Finlandën që të shqyrtojnë pozicionin e tyre dhe nëse statusi neutral ushtarak është ende mënyra e duhur për të garantuar sigurinë kombëtare.

/abcnews.al