Shtetasit e Kosovës që janë të dënuar për ngjarjet e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë, ende nuk e dinë se përse kërkesa e tyre për transferim në Kosovë ende nuk po merr përgjigje. Njëri nga avokatët, Naser Raufi për TV21 tregoi se aplikimi është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, por që e njëjta po zvarritet për shkak të mos përkthimit të lëndës.
“Ju kujtohet që ne aktgjykimin e kemi pritur, përkthimin në fakt të aktgjykimit më shumë se 6-7 muaj që të përkthehet, mandej ju kujtohet që Gjykata e Apelit e riktheu, për arsye që nuk ishte e përkthyer dhe kjo përsëritet praktikisht edhe në lëndën e transferimit që për ne informata është që arsyeja është përkthimi i dokumentacionit”- deklaroi NAser Raufi, avokat.
Arsye tjetër e zvarritjes së lëndës, sipas avokatit tjetër Ibrahim Bajrami, është mungesa e klauzolës së plotfuqishmërisë për aktgjykimin e shkallës së parë, pa të cilën, siç shpjegon, penalizohen jo vetëm në kërkesën e transferimit, por edhe në dorëzimin e aplikacioneve në Strasburg.
“Por, unë ju siguroj se ato as që mund të preken deri sa në vendimin e shkallës së parë nuk është e vulosur data e plotfuqishmërisë së vendimit të shkallës së parë dhe të ekzekutueshmërisë së shkallës së parë. Kjo na penalizon për shkak se ne mbrojtja, dhe të akuzuarit vendimet e shkallës së fundit, të Gjykatës Supreme i kemi marr qysh para 3 muaj e gjysmë, diku prej janarit e këndej kurse, dorëzimi i aplikacioneve në Strasburg tani me ligjet e reja është 4 muaj. Neve na penalizon dhe ne në qoftë se e dorëzojmë aplikacionin në rrethana që ne mendojmë se është thyer e drejta e të dënuarve dhe e mbrojtjes pa klauzolën e plotfuqishmërisë ne as atje nuk mund të bëjmë asgjë” – tha Ibrahim Bajrami, avokat.
Në prezencën tonë avokati pyeti nëse është gati klauzola që vërteton plotfuqishmërinë, megjithatë nga Gjykata Penale sërish e informuan se ende nuk do të mund të konfirmojë datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Disa ditë më parë lidhur me këtë çështje u pyet edhe ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski i cili tha se bëhet fjalë për proces juridik të ndërlikuar ku ministria duhet të analizojë shumë faktorë, andaj nuk është marrë ende vendim.
Ndryshe, autoritetet e Kosovës nuk kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesë për ekstradim të të dënuarve, por të dënuarit në fjalë kanë bërë kërkesa për transferim në shtetin e tyre amë për ta vuajtur dënimin.