Maroku shkruan historinë, fiton 1-0 ndaj Portugalisë dhe eliminon luzitanët favoritë. Kombëtarja marokene bëhet e para skuadër afrikane në historinë e Botërorëve që arrin në gjysmëginalet e Kupës së Botës teksa heroi i sfidës ishte sulmuesi En Nesyri që realizoi në minutën e 41-të të pjesës së parë.
Sa i takon pjesës së parë, ishte Portugalia ajo që shfaqet e para me Joao Felix i cili në minutën e katërt goditi bukur me kokë, por gjeti portierin Bono të gatshëm. Gardiani marokenëve nuk u surprizua dhe e dërgoi topin në këndore. Me kalimin e minutave, loja u balancua, derisa në të 31-tën u shfaq sërish Felix. Këtë herë talenti i portugezëve provoi nga distanca me topin që mori një devijim në fund dhe për pak centimetra përfundoi jashtë. Gjithsesi, Maroku nuk u impresionua nga kundërshtarët dhe në të 41-tën shënuan golin e avantazhin. Ishte sulmuesi En Nesyri që përfitoi edhe nga një dalje e gabuar e portierit Costa dhe me kokë shënoi golin. Pas këtij episodi, sfida u ndez dhe Bruno Fernandez u ndal nga traversa ndërsa në minutat shtesë të fraksionit të parë, Maroku shpërdoroi edhe një mundësi të pastër shënimi pasi e kapi kundërshtarin në kundërsulm.
Gjithsesi, përtej mundësive, pjesa e parë u mbyll në avantazhin e Marokut 1-0 ndërsa në të dytën, rezultati imponoi Portugalinë të sulmonte. Në lojë u aktivizua edhe Cristiano Ronaldo ndërsa një mundësi të shkëlqyer iu ofrua Goncalo Ramos që i vetëm në zonë gaboi shënjestër me kokë. Pak minuta më pas, edhe Fernandez nuk gjeti kuadratin me një goditje të fortë në hyrje të zonës.
https://youtu.be/FwMcRhuNaWs
Tetë minuta nga fundi, Felix godet fort në hyrje të zonës, por Bono reagon në mënyrën e duhur. Sakaq, në të 91-tën, Ronaldo shfaqet dhe gjuan në brendësi të zonës, sërish Bono kontrollon edhe pse me pak vështirësi dhe në dy kohë. Në minutën e 93-të, Maroku mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi Cheddira koleksionoi kartonin e dytë të verdhë, megjithatë shokët e tij në fushë rezistuan dhe siguruan biletën për në gjysmëfinale, aty ku presin fituesin e çiftit Angli-Francë./ Super Sport