Lajm i trishtë për Zhelinën!
Me pikëllim të thellë sot pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të Behar Sulejmanit nga Novosella e Komunës së Zhelinës. Shpirtrat tanë kanë shumë dhimbje kur dëgjojnë për humbjen e dhimbshme e të parakohshme të Beharit. Ne e njihnim, vlerësonim dhe admironim atë. Behari do të mbetet përgjithmonë në kujtimet tona. Ngushëllimet e mia më të thella familjes Sulejmani!
U prehtë në paqe shpirti yt i bardhë Behar, e kujtimi për ty qoftë i përjetshëm, shkruan Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës së Zhelinës.
SPB – Tetovë ka dhënë hollësi shtesë për ngjarjen e rëndë te Banjat e Tetovës ku u gjet trupi i pajetë i një 16-vjeçari Nga MPB thonë se bëhet fjalë për një djalë nga Novo Sella, komuna e Zhelinës.
“Sot (22.12.2022) në ora 07:10 në ujërat e lumit Shkumbim, rrugës për në vendin e quajtur Banja e Tetovës (“Banjiçe” ) në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë gjetur trupin e pa jetë të një të mituri nga Novo Sella- Komuna e Zhelinës, për të cilin babai i tij me inicialet J. H. (46) ka raportuar se më datë 21.12.2022 rreth orës 16:00 është larguar nga shtëpia me automjetin “Audi” me targa regjistrimi të Tetovës.
Më herët, rreth orës 02.20, makina është gjetur pranë një objekti hotelierik në vendin e quajtur Banjat e Tetovës ( “Banjiçe”).
Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ekipit të Ndihmës së Shpejtë dhe me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dërguar për autopsi”, thonë nga SPB-Tetovë.
Nga Prokuroria thonë se bëhet fjalë për një të mitur, i cili mbrëmjen e djeshme është raportuar si i zhdukur.
“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë ka inspektuar vendin e quajtur Banjat e Tetovës (“Banjiçe”), ku në lumë është gjetur trupi i pajetë i personit 16 vjeçar.
Bëhet fjalë për një person i cili rezultonte i zhdukur që nga dita e djeshme. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për autopsi të trupit të të ndjerit, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve dhe provave për të përcaktuar shkaqet e vdekjes”, thonë nga Prokuroria.