Ballina Aktualitet Lumenjtë dalin nga shtrati në Kosovë, në Skënderaj gjendje e jashtëzakonshme për...

Lumenjtë dalin nga shtrati në Kosovë, në Skënderaj gjendje e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve (VIDEO+FOTO)

Pas reshjeve të pandërprera në disa zona në Kosovë kanë ndodhur vërshime.

Situata është përkeqësuar në disa komuna, përfshirë, Skenderajn, Drenasin, Pejën, Klinën, Mitrovicën e Podujevën.

Në këto komuna janë vërshuar zona të banimit, toka bujqësore e rrugë.

Komuna e Skenderajt tanimë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Raportohet për vërshime edhe në komunën e Zveçanit e veriut të Mitrovicës, pasi Ibri ka dalë nga shtrati.

https://youtu.be/C-OgX2_sFR8

“Kosovo Online” ka raportuar se mbi 50 shtëpi janë vërshuar në Zveçan. E po ashtu raportohet për shtëpi të vërshuara në “Lagjen e Boshnajkëve”.

Komandanti i stacionit të zjarrfikësve në Zveçan, Vladan Radomiroviq, tha se nuk mbahen mend vërshime të tilla.

‘Situata është më e vështira në 50 vjetët e fundit. Kemi probleme me përmbytje të mëdha dhe niveli i Ibrit po rritet pothuajse në të gjitha pikat. Gjithçka është në rrezik. Më shumë se 50 shtëpi janë përmbytur, aktualisht më e keqja është në Grabovc, ku ka ndodhur një rrëshqitje e madhe e cila ka shkulur edhe shtyllat, për fat të mirë ato nuk kanë rënë nëpër shtëpi”, ka thënë Radomiroviq.

https://youtu.be/Bl7e8Br3CcU

Raportohet edhe për bllokim të rrugës që shpie nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani për në Zubin Potok, shkaku i rrëshqitjes së dheut.

Me reshjet që janë duke vazhduar, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar vërshime edhe gjatë ditëve në vijim.

“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdoj dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, njoftoj instituti të enjten.

Nga Komuna e Istogut i thanë KOHËS se gjendja është e rënduar tej mase.

“Situata është e rënduar në Istog të Poshtëm, Shushicë, Bellopojë, Kovragë, Tomoc, Gurrakov, Veriq, Lluga, Prigodë, Kërrninë, Muzhevinë, Drejë, Zabllaq, Saradran, Dobrushë, Bajic, e në shumë fshatra të tjerë”, deklaroi Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi.

Aktualisht, sipas Kabashit, situata është më e rëndë se në vërshimet e 20 nëntorit.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në këtë komunë.

Ai ka njoftuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në komunë.

“Si rrjedhojë e reshjeve të panderprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë.Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet”, tha kryetari Fadil Nura.

“Që nga orët e mengjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut”.

Situata e motit të keq në Kosovë paraqitet problematike, pasi lumenjtë kanë dalë nga shtrati.

Lumenjtë Ibri, Lushta e Sitnica në Mitorvicë kanë dalë nga shtrati duke vërshuar në qytet e pjesë të tjera të Mitrovicës.

Situatë e jashtëzakonshme është edhe në Skënderaj për shkak të vërshimeve.

Në pamje shihet se si uji është përhapur gjithandejnë pjesë, ndërsa prania e reshjeve ka qenë e vazhdueshme.