Të bashkuar, së bashku. Grupet ultras të Besiktas, Galatasaray dhe Fenerbahce, tre klubet e mëdha të Turqisë, kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet. Një veprim solidariteti i tyre pas tërmetit që shkatërroi vendin ditët e fundit. Mbi 11 mijë të vdekur, mijëra të plagosur dhe të zhdukur, shtëpi të shkatërruara, njerëz ende të bllokuar në rrënoja.
Në Stamboll, grupet ultras të tre klubeve të mëdha postuan një foto së bashku. Një gjest si simbol i unitetit pas tërmetit që ndodhi në vend. Ata e kishin bërë këtë edhe dhjetë vjet më parë. Në 2013 ata u bënë bashkë për protestat kundër qeverisë Erdogan, të zhvilluara mes 28 majit dhe 30 gushtit në Sheshin Taksim. Me atë rast, grupet ultra të Carsi (tifozët e Besiktas), Ultra Aslan (Galatasaray) dhe Sol Acik (Fenerbahçe), u bashkuan kundër presidentit aktual turk. Këtë herë solidariteti është ndryshe në kontekst, por tifozët bënë paqe si dhjetë vjet më parë.
Mes mijëra viktimave të tërmetit që shkatërroi Turqinë dhe Sirinë është edhe një futbollist. Bëhet fjalë për Ahmet Eyup Turkaslan, portieri i Malatyaspor, një klub që luan në kategorinë e dytë turke. Fatmirësisht gruaja dhe vajza e portierit 28-vjeçar të Malatyaspor, Ahmet Eyup Turkaslan, janë nxjerrë të gjalla nga rrënojat. Ndërkohë, futbollisti ganez i Hatayspor, Christian Atsu është deklaruar sërisht i humbur. Orë më parë dolën lajme se ai ishte nxjerrë nga rrënojat dhe ishte dërguar në spital. Mendohet se ishte ngatërruar personi.