Nga Xhelal Zejneli
Plani franko-gjerman përmban dhjetë nene.
Në nenin 4 të propozimit evropian të marrëveshjes themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan se Kosova dhe Serbia nisen nga premisa se asnjëra prej tyre nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj.
Në nenin e sipërthënë thuhet në mënyrë eksplicite se “Serbia nuk do t’i kundërvihet anëtarësimit të Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare“.
Në këtë dokument, Bashkësia e komunave serbe nuk përmendet në mënyrë konkrete, por lidhur me themelimin e saj mund të konkludohet tërthorazi, nëpërmjet neneve të tjera.
Për shembull, në nenin 10 thuhet: “Të dyja palët i konfirmojnë detyrimet e veta për t’i zbatuar marrëveshjet e tyre të mëhershme”.
Më 20 janar 2023, pas takimit me “pesëshin” (kuinitn), përfaqësues të BE-së dhe të ShBA-së, kryetari i Serbisë – Aleksandar Vuçiq, deklaroi: “…ishte një diskutim i vështirë dhe i hapur për të cilin jemi dakord se një konflikt i ngrirë nuk paraqet zgjidhje. Sot më janë bërë të ditura problemet dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohej Serbia po qe se nuk do të harmonizohemi me planin e propozuar”.
* * *
Versioni integral (i plotë) i propozimit franko-gjerman:
Teksti i propozimit evropian të marrëveshjes themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, datë 20.1.2023.
Të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për ruajtjen e paqes;
Të përkushtuar për t’i kontribuar bashkëpunimit rajonal të frytshëm dhe sigurisë në Evropë;
Duke e kuptuar faktin se pacenueshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe i sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushte themelore për paqen;
Të vepruarit mbi bazën e fakteve historike dhe pa i prejudikuar (pa i cenuar, pa i dëmtuar) qëndrimet e ndryshme të palëve lidhur me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;
Të nisur nga dëshira për të krijuar kushte për bashkëpunimin e partive në dobi të popujve, akordohet, si më poshtë:
Neni 1
Palët do të zhvillojnë ndër vete marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Të dyja palët do t’i njohin reciprokisht dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe nga parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në veçanti të atyre për të drejtat sovrane të shteteve, për respektimin e pavarësisë së tyre, të autonomisë dhe të integritetit territorial, për të drejtën për vetëvendosje dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të mosdiskriminimit.
Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët të gjitha kontestet e ndërsjella do t’i zgjidhin vetëm mjete paqësore dhe do të heqin dorë nga kanosja apo nga përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët nisen nga premisa se asnjëra prej tyre nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do t’i kundërvihet anëtarësimit të Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Të dyja palët do t’i mbështesin synimet e tyre për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Edhe pse kjo marrëveshje themelore paraqet një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do ta vazhdojnë procesin e dialogut që e zhvillon BE-ja me një vrull të ri, gjë që do të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve.
Palët janë dakord që në të ardhmen ta thellojnë bashkëpunimin në lëmenjtë e ekonomisë, të shkencës dhe të teknologjisë, të qarkullimit dhe të ndërlidhjeve, të marrëdhënieve në jurisprudencë dhe në zbatimin e ligjeve, të postës dhe të telekomunikimeve, të shëndetësisë, të kulturës, të religjionit, të sportit, të mbrojtjes së mjedisit, të personave të pagjetur si dhe në lëmenj të tjerë, po kështu nëpërmjet marrëveshjeve konkrete.
Neni 7
Palët angazhohen për arritjen e aranzhmaneve konkrete, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke i shfrytëzuar përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet niveli përkatës i vetëqeverisjes për bashkësinë serbe në Kosovë dhe mundësia e kryerjes së shërbimeve në Kosovë, disa lëmenj specifikë, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet bashkësisë serbe dhe Qeverisë së Kosovës.
Palët do ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse. Çështjet praktike lidhur me sistemimin e misioneve do të shqyrtohen në mënyrë të veçantë.
Neni 9
Reciprokisht u konstatua përkushtimi i BE-së dhe i donatorëve të tjerë për të krijuar pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillim ekonomik, për lidhje, tranzicion të gjelbër dhe lëmenj të tjerë kryesorë.
Neni 10
Palët do të themelojnë komision të përbashkët me të cilin, të cilin do ta kryesojë BE-ja, e cila do ta përcjellë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Të dyja palët i konfirmojnë detyrimet e veta për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëhershme.