Ballina Aktualitet Tetovë, nuk ka banesa sociale si në qytetet tjera të Maqedonisë së...

Tetovë, nuk ka banesa sociale si në qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut

Tetova nuk ka ende të ndërtuara banesa sociale ndonëse ka nevojë për to. Komuna nuk ka bërë kërkesë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për të njëjtat. Pengesë në këtë drejtim mbetet plani gjeneral urbanistik i vjetruar dhe planet e tjera të detajuara. Komuna e Tetovës njofton për Portalb.mk se ky proces është kompleks por që janë të gatshëm për të kontribuar në këtë drejtim, megjithatë diçka konkrete nuk ka.

Ministria a Punës dhe Politikës Sociale për Portalb.mk theksoi se “ndërtimi i banesave sociale është nën kompetencë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.”

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Kire Kocevski këshilltari për marrëdhënie me publikun për Portalb tha se Komuna e Tetovës ende nuk ka dorëzuar kërkesë dhe lokacion për ndërtimin e objekteve të banesave sociale.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Sh.A. për menaxhim të hapësirës banesore dhe afariste realizon programin për ndërtimin e banesave sociale në komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për të parashikuar ndërtimin e një objekti të këtij lloji dhe për ta futur atë në planin vjetor, është e nevojshme që komuna të paraqesë lokacionin dhe kushtet e lokacionit për ndërtimin e objektit të banimi për këtë qëllim”, tha Kocevski.

Kujtojmë që edhe para disa muajsh, ministri i Transportit për këtë problematikë fajin e hodhi te Komuna e Tetovës si institucion që menaxhon me urbanizmin dhe planifikimin e ndërtimeve.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës për Portalb thonë se ndërtimi i banesave sociale është proces i kompleks dhe kërkon koordinim të shumë aktorëve, përfshirë autoritetet lokale, qeverinë qendrore, investitorët e mundshëm dhe komunitetin.

“Për të mundësuar ndërtimin e banesave sociale në Tetovë, pushteti lokal duhet të bashkëpunojë me pushtetin qendror dhe me investitorët e mundshëm për të identifikuar burimet e nevojshme për të financuar projektet e reja të banesave sociale. Nëse të gjithë aktorët e nevojshëm bashkëpunojnë dhe angazhohen në këtë proces, mund të presim që projekte të reja të banesave sociale të fillojnë të ndërtohen në Tetovë në një të ardhmen. Kjo do të thotë se ne si pushtet lokal çdo herë kemi shprehur gatishmëri pozitive për të kontribuar në këtë aspekt, por ende nuk kemi diçka konkrete”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kjo problematikë parashihet të rregullohet me miratimin e planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale. Sipas kryetarit të këshillit komunal të Tetovës, banesat sociale parashihen të ndërtohen te lagja nën rrugën industriale, apo e njohur ndryshe si ‘Lagja e Romëve’. Mirëpo e njëjta si procedurë vijon dhe do të merr kohë si dhe as që dihet kur do të përfundojë.

Siç ka deklaruar kryetari i Komunës paraprakisht, janë rreth 200-300 qytetarë të cilët jetojnë në kushte të këqija dhe kanë nevojë për këto banesa.

Përndryshe, plani gjeneral urbanistik i vjetruar përbën pengesë për marrjen e lejeve për ndërtime dhe çështje tjera të natyrës së urbanizmit.

Përndryshe, vetëm para dy javëve në Gostivar u ndanë çelësat e banesave sociale të reja për 45 familje nga kategoritë e cenueshme sociale. Në katër vitet e fundit siç deklaroi kryeministri, janë ndërtuar dhe janë në fazë ndërtimi 864 banesa sociale.

Deri më tani, përveç Gostivarit, banesa janë shpërndarë edhe në Makedonski Brod, Strumicë, Probishtip, Vinicë, Sveti Nikollë. Njoftime të tilla për ndarjen e banesave janë në vazhdim në Gjevgjeli, ndërtimi i banesave sociale në Demir Kapi ka përfunduar dhe banesat duhet të ndahen aty. Banesat sociale në Negotinë janë në fazën përfundimtare dhe po ndërtohen banesa sociale për mbi 500 qytetarë në Dibër, Butel, Veles, Koçan dhe Saraj.