Ballina Top Lajm 17 vjet nga vdekja e Sllobodan Millosheviqit – Kasapit të Ballkanit

17 vjet nga vdekja e Sllobodan Millosheviqit – Kasapit të Ballkanit

Sot bëhen 17 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Serbisë dhe Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq më 11 mars 2006, në njësinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës, ku u gjykua për krime kundër njerëzimit në Kroaci dhe në Kosovë dhe për gjenocid në BeH.

Millosheviqi u zgjodh president i Serbisë në zgjedhjet e para shumëpartiake pas rënies së komunizmit në dhjetor 1990 dhe ai e mbajti atë detyrë për dy mandate.

Ai ishte kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila u krijua nga bashkimi i Unionit të Komunistëve të Serbisë dhe Bashkimit Socialist të Popullit Punëtor të Serbisë.

Në korrik të vitit 1997, ai u zgjodh kryetar i RFJ-së dhe qëndroi në atë pozitë deri në zgjedhjet e shtatorit 2000, në të cilat fitoi kandidati i Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS) Vojislav Koshtunica.

Millosheviqi fillimisht refuzoi të njohë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, të cilat çuan në protesta masive civile që kulmuan më 5 tetor, kur qindra mijëra demonstrues u mblodhën në Beograd.

Qeveria e re e arrestoi Millosheviqin më 1 prill 2001 në Beograd, për keqpërdorim të dyshuar të pozitës zyrtare dhe në bazë të Dekretit të Qeverisë së Serbisë, ish-presidenti u ekstradua në Tribunalin e Hagës më 28 qershor 2001 me akuzën për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Gjyqi i Millosheviqit nuk përfundoi me një vendim gjyqësor, pasi ish-presidenti i Serbisë dhe RFJ-së vdiq në njësinë e paraburgimit të Tribunalit si pasojë e një ataku kardiak.

Trupi i Sllobodan Millosheviqit u soll në Serbi në mars të vitit 2006 dhe ish-presidenti u varros në oborrin e shtëpisë së familjes në Pozharevc.

Në funeralin e Millosheviçit morën pjesë zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste të Serbisë, me përjashtim të kryetarit aktual Ivica Daçiq, si dhe nënkryetari i atëhershëm i Partisë Radikale Serbe Tomislav Nikolić, presidenti i Partisë Komuniste Ruse Genadi Zyuganov, Deputeti i Dumës Sergej Baburin dhe gjenerali Leonid Ivašov, si dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Ramsey Clark.

Millosheviq që ndryshe njihet edhe si “Kasapi i Ballkanit”, vdiq në një qeli të Tribunalit të Hagës, pa e pritur përfundimin e gjykimit ku ngarkohej me akuzave më të rënda, duke përfshirë akuzat për krime lufte dhe gjenocid.

Ironikisht, vdekja Millosheviqin e shpëtoi nga vuajtja e dënimit për veprat që rëndonin mbi të.

Me të marr pushtetin, “Slloba”, siç njihej në qarqet e ngushta, kishte bërë reforma për ndryshime kushtetuese të cilat reduktonin autonominë e provincave, çfarë ishte Kosova.

Krimet kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit cilësohen si më të rëndat qysh nga ato të nazizmit gjerman.

Vetëm në Srebrenicë të Bosnjës janë vrarë më së tetë mijë veta, në atë që tani njihet si masakra e Srebrenicës.

Krime të ngjashme ushtria serbe nën urdhrat e Millosheviqit ka kryer edhe në Kosovë derisa rezistenca e armatosur shqiptare dhe më pas bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore e ndaluan.

Jo larg nga intervenimi i NATO-s Sllobodan Millosheviq u arrestua. Saktësisht me 1 prill 2001.

Ai u transferua për gjykim në Tribunalin e Hagës. Vdiq pa u dënuar, derisa gjykimi po vazhdonte, me 11 mars 2006.

Millosheviqi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.

Vetëm në Kosovë regjimi i udhëhequr nga Millosheviq ka shpërngulur afër një milionë shqiptarë, duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Pos të dëbuarve janë vrarë edhe 13 mijë persona, shumica civilë, kurse të zhdukur kanë qenë 5 mijë njerëz, shumica prej tyre janë gjetur, por vazhdojnë të jenë më shumë se 1 mijë persona ende të pagjetur, njofton Klankosova.tv.

Sllobodan Millosheviq ka lindur në Pozharevc, Jugosllavi më 20 gusht 1941 dhe ka vdekur në Hagë, Holandë më 11 mars 2006.

Gjatë karrierës së tij politike, Millosheviq mbajti postin e Presidentit të Republikës së Serbisë për periudhën 1989-1997.

Pastaj postin e presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë për periudhën 1997-2000.

Ndërsa ishte kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë nga krijimi i saj më 1992 deri në vitin 2001.

@tn.lajmelokale
@tetovanews