Byreku me djathë ka arritur të ngrihet lart në renditjen e ushqimeve më të shijshme. Edhe pse atë e përdorin thuajse të gjithë vendet e Ballkanit, nga Turqia e deri në Kroaci, Bullgaria ka arritur të marrë patentën. Madje radio Bullgaria, në edicionin e saj në gjuhën shqipe ka bërë një reportazh të gjatë për këtë.
Byreku (banica) bullgar spikati në një renditje prestigjioze, duke hyrë në top 50-shen e gatimeve më të shijshme me djathë në botë. Faqja e famshme e kuzhinës tradicionale dhe produkteve vendase, Taste Atlas, i caktoi specialitetit tonë pozicionin prestigjioz të 5-të, ndërsa dy specialitete të tjera bullgare gjithashtu u përfshin në klasifikim – sallata e shopëve (pozicioni i 14-të) dhe sallata e barinjve (pozicioni 41).
Në rajonet e ndryshme të Bullgarisë, byreku bëhet ndryshe dhe mund të ketë një shije të ndryshme, shpjegoi para Danaill Konov nga Radio Sofja e BNR-së Prof. Dr. Ana Koçeva, udhëheqëse e seksionit “Dialektologji” në Institutin e Gjuhës Bullgare pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Ajo u bind për këtë, së bashku me kolegët e saj, ndërsa udhëtonte nëpër territoreve të gjuhës bullgare në lidhje me përgatitjen e një harte kulinare interaktive. “Byrek është emri i përgjithshëm bullgar, por mund të hasen edhe emra të tjerë, si për shembull mlin bullgarisht, të cilat gjithashtu do të thonë byrek por në dialekte të ndryshme bullgare, dhe jo vetëm”, thotë Prof.Koçeva dhe shton:
“Dhe nëse jeni në malin Rodopa dhe ju flasin për klin, keni parasysh se po flasin për byrek, edhe pse është bërë me oriz. Zellniku është gjithashtu një byrek kudo në territorin e gjuhës bullgare, por mos u gaboni se bëhet me lakër, përkundrazi është një byrek me të gjitha llojet e zarzavateve dhe bimëve të kopshtit, përfshirë barishtet. Edhe pse në disa vende zellniku bëhet vërtet me lakër, por me lakër turshi, më së shpeshti zellnik kuptohet si byrek me spinaq, labot, lëpjetë, etj. Ka edhe emrin billnik për byrekun me barishtetë dobishme.”
Njihen edhe byreku qumështor, rreckaman, i tërhequr, dembel, shterpë etj. Dhe forma më e vjetër gjuhësore e byrekut në trojet tona është “gibanica” dhe është karakteristikë e trevës së qytetit Vidin të Bullgarisë Veriperëndimore (folja bullgare nagibam do të thotë palos, përkul). Janë të përhapur edhe emrat nga gjuha turke, për shembull burek, pedia ose pidia, si dhe tatlia e ëmbël etj., sepse: “Ne flasim për kuzhinën kombëtare bullgare, por ajo është kryesisht ballkanike. Është praktikisht orientale. Këtu në Ballkan ka shumë pika kryqëzimi. Dhe në këtë kuptim mund të flitet për “kulinari ballkanike”, si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë ushqimor”, shpjegon Prof.Koçeva.
“Byreku është padyshim pjata më tradicionale bullgare dhe lidhet si me tryezën festive ashtu edhe me jetën e përditshme. Nuk është rastësi që është në top 5-shen e renditjes botërore – kjo është pjata me të cilën kuzhina kombëtare bullgare tërheq mysafirët tanë të huaj, sipas Prof. Koçeva dhe jo vetëm.
“Byreku është kaq i njohur sepse është e lidhur me zanafillën, me bukën, me brumin, me brumosjen, me tharmin dhe me gjithë atë që është sa kulinare aq edhe simbolike – si në kuzhinën kombëtare bullgare, ashtu edhe në kulturën tonë tradicionale, madje edhe në mitologji. Sepse atëherë, kur buka dhe byreku mund të zëvendësohen reciprokisht, do të thotë se qëndrimi ndaj tyre është po aq respektues”, thotë Prof.Koçeva.