Ballina Bota Erdogan përballë provës së madhe zgjedhore

Erdogan përballë provës së madhe zgjedhore

Reuters

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të përballet me provën më të madhe të udhëheqjes së tij 20-vjeçare në zgjedhjet e muajit maj. Në to do të vendoset jo vetëm se kush do ta udhëheqë Turqinë, por edhe si do të qeveriset ajo, kah do të shkojë ekonomia e saj dhe çfarë roli mund të luajë Turqia për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Votimet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen më 14 maj – tre muaj pas tërmeteve të fuqishme që goditën pjesën juglindore të Turqisë, duke lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz dhe të pastrehë miliona të tjerë.

Opozita ka zgjedhur si kandidat të sajin presidencial Kemal Kilicdaroglun, udhëheqës i Partisë Popullore Republikane (CHP), dhe ka formuar një aleancë që synon të tërheqë votues nga e majta dhe e djathta, si dhe ata me rrënjë islamike.

Opozita premton se do t’i ndryshojë shumë nga politikat e Erdoganit, i cili ka mbrojtur devotshmërinë fetare, diplomacinë e mbështetur nga ushtria dhe normat e ulëta të interesit.

Si shihet Erdogani?
Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim – me bazë islamike – e kanë larguar Turqinë nga plani laik i Kemal Ataturkut – udhëheqësi që ka themeluar Republikën moderne të Turqisë një shekull më parë.

Kritikët thonë se Qeveria e Erdoganit ka shtypur mospajtimet, ka kufizuar të drejtat e njeriut dhe ka vënë nën kontroll sistemin gjyqësor.

Zyrtarët i hedhin poshtë këto akuza, duke thënë se Qeveria i ka mbrojtur qytetarët përballë kërcënimeve të sigurisë, përfshirë një përpjekje për grushtshtet në vitin 2016.

Ekonomistët thonë se thirrjet e Erdoganit për norma të ulëta interesi e kanë çuar inflacionin në 85% vitin e kaluar – niveli më i lartë në 24 vjet.

Në botë?
Nën Erdoganin, Turqia ka shpërndarë fuqinë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, duke nisur katër inkursione në Siri, duke kryer një ofensivë kundër militantëve kurdë brenda Irakut dhe duke dërguar mbështetje ushtarake në Libi dhe Azerbajxhan.

Turqia ka pësuar një seri përplasjesh diplomatike me fuqitë rajonale: Arabinë Saudite, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin, si dhe një përplasje me Greqinë dhe Qipron për kufijtë detarë në Mesdheun lindor. Dy vjet më parë ka ndryshuar qëndrim dhe ka bërë përpjekje të afrohet me disa nga rivalët e saj.

Erdogan ka blerë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore, duke bërë që SHBA-ja t’i shqiptojë disa sanksione Ankarasë.

Afërsia me presidentin rus, Vladimir Putin, ka bërë që kritikët ta vënë në dyshim përkushtimin e Turqisë ndaj aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s.

Kundërshtimet e Ankarasë ndaj aplikimeve të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO i kanë rritur, po ashtu, tensionet.

Megjithatë, Turqia ka ndërmjetësuar një marrëveshje për eksportet ukrainase të grurit, duke nxjerrë në pah rolin që mund ta luajë Erdogani në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Çka premton opozita?
Dy partitë kryesore të opozitës, Partia laike Republikane Popullore (CHP) dhe Partia nacionaliste e qendrës së djathtë IYI, janë bashkuar me katër parti më të vogla nën një platformë, që do të ndryshonte shumë nga politikat e Erdoganit.

Ato janë zotuar se do t’ia rikthejnë pavarësinë Bankës Qendrore dhe se do t’i ndryshojnë politikat ekonomike të Erdoganit.

Erdogan ka mbështetur përpjekjet e dështuara për të rrëzuar presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërsa ka strehuar së paku 3.6 milionë refugjatë sirianë në Turqi.

Opozita u ka bërë jehonë planeve të Erdoganit për të kthyer disa refugjatë sirianë, por asnjëra palë nuk ka treguar se si mund të bëhet kjo në mënyrë të sigurt.

Çka tash?
E para nga dy dekadat e Erdoganit në pushtet është përshkuar me rritje ekonomike, ndërsa në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rënie të prosperitetit.

Sondazhet që janë bërë pas tërmeteve, kanë sugjeruar se Erdogan mund ta ruajë mbështetjen që ka, pavarësisht katastrofës. Por, shfaqja e një opozite të bashkuar mund të jetë një sfidë më e madhe për të, thonë analistët.

Se si mund ta sigurojë opozita mbështetjen mes votuesve kurdë, të cilët përbëjnë 15% të elektoratit, mbetet çështje kyçe. Bashkëdrejtuesi i Partisë Demokratike të Popullit (HDP) – subjekt pro-kurd – ka thënë se ata mund ta mbështesin Kilicdaroglun pas një bisede “të qartë dhe të hapur”.