Një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Maqedoninë e Veriut, matja e besueshmërisë ndaj partive politike ka nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e qytetarëve nuk do ta përkrahin asnjë prej partive politike të vendit, raporton REL. Njohësit e çështjeve politike, Aleksandar Kërzhallovski dhe Xhelal Neziri, thonë se kjo lë shumë hapësirë që qytetarët të drejtohen kah një opsion i tretë politik.
Së fundmi, në skenën politike maqedonase gjithnjë e më të zëshme po bëhen lëvizjet qytetare, organizata joqeveritare, fraksionet brenda partive politike të cilat synojnë të zënë një hapësirë të caktuar në skenën politike të vendit.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitriev, ka paralajmëruar formimin e një partie të re. Ai ishte pjesë e LSDM-së, por pasi partia e tij nuk e mbështeti edhe për një mandat të dytë, ai garoi si i pavarur dhe u zgjodh për kryetar komune.
Dimitriev në shumë qytete ka krijuar strukturat e asaj që ai e ka quajtur “Lëvizje për Ndryshime Progresive”, e cila, sipas tij, mund të shndërrohet në parti dhe si e pavarur të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ndërsa, ish-ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e socialdemokratëve, Nikolla Dimitrov, më 27 prill ka promovuar organizatën joqeveritare “Qendra Ballkanike për Politika Konstruktive – Zgjidhje”.
Njohësit e çështjeve politike këtë e shohin si mundësi për formimin e një partie politike, përderisa vetë ish-ministri Dimitrov tha se do të angazhohet për shtet funksional.
Në opinion gjithnjë e më shumë flitet dhe për formimin e një partie të re shqiptare nga “grupi i zjarrit” që funksionon si fraksion brenda partisë shqiptare në pushtet Bashkimit Demokratik për Integrim.
Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, thekson se “opsion i tretë politik”, është imponuar si nevojë e rënies drastike të besimit të qytetarëve në forcat kryesore politike për shkak të mosrealizmit të premtimeve.
“Ka shumë hapësirë për të marrë mbështetjen e qytetarëve një opsion i tretë politik pasi dhe sondazhet tregojnë se qytetarët janë gjithnjë e më impotent, pra krahas besueshmërisë së ulët që kanë partitë kryesore, kemi një numër të madh të qytetarëve që nuk dalin për votuar”, thotë Kërzhallovski.
Nga ana tjetër, Xhelal Neziri, nga organizata joqeveritare për gazetari hulumtuese, SCOP,P thekson se forcat reja mund të korrin sukses nëse arrijnë të bashkohen në bazë të parimeve ideologjike.
“Nuk pres ndonjë rezultat spektakular nga partitë e reja që paralajmërohen si opsion i tretë politik, përderisa nuk ka koalicione të shëndosha parimore të formuara mbi baza ideologjike. Pra, ky është parakusht – krijimi i një blloku të partive të reja politike që do të garonin bashkë dhe në këtë mënyrë do të fitonin numrin maksimal të deputetëve. Kështu këto koalicionet instat si në skenën tonë politike, ashtu siç krijohen shpejt, edhe prishen shpejt”, thotë Neziri.
Ai shton se nëse partitë e reja vendosin të garojnë si të vetme, jo vetëm që nuk do të korrin suksese në zgjedhje, por as nuk do të paraqesin vlerë demokratike për vendin duke u mundësuar qytetarëve të pakënaqur nga strukturat politike të vendit, të orientohen kah një opsion i tretë politik.
Në Maqedoninë e Veriut gjatë tri dekadave pluralizëm shumë parti lindën krahas partive kryesore, të cilat supozohej të ishin “opsioni i tretë politik”.
Disa nga to fituan ulëse në Parlament, madje, nga ta varej dhe formimi i Qeverisë, por suksesi i tyre ishte afatshkurtër pasi asnjëra prej tyre nuk arriti të dominojë si forcë politike në periudhë afatgjate.