Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një gjuhë aspak të përshtatshme kandidatit të opozitës për Bashkinë e Himarës, duke e quajtur budalla, dru, gdhë, etj.
Këto komente Rama i bëri gjatë një takimi me qytetarët në Himarë, ku prezantoi kandidatin e PS-së për këtë bashki, Jorgo Goron.
Rama gjithashtu i dërgoi edhe një mesazh qytetarëve, duke i thënë se vetëm një zgjedhje kanë ata që të ruajtur pronat e tyre, që sipas tij është ai vetë dhe PS.
“Himara është ndryshe nga të gjitha territoret. Keni parë ndonjë që të jetë kështu. Dhe këta që janë të djathtë, duhet të pyesin veten, po pse mo më budallain do votojnë këta. Se ka plot nga ata të mençur. Më gdhëja që e kanë vendosur këtu. Në greqisht analfabet, në shqip dru. Atë do të votoni, merreni këtë drurin këtu dhe ai ua bën një punë. Të paktën ngroheni në dimër. Merreni drurin çojëni në bashki, unë me atë nuk bashkëpunoj dot.
E keni me të vërtetë ju, do ma ulni mua atë të bëj muhabet. Jorgua nuk është i rënë nga qielli, nuk i ka bërë të tëra mirë, të jemi të qartë këtu, unë nuk them ta marrim ta bëjmë dhëndër. Ama tani që unë ja prisha gjumin Jorgos, juve doni të votoni atë tjetrin? E keni parë Himarën si është xixë. Kur vija më parë, letra, shishe. Merrja Jorgon pip, pip, pip. Vija vetë mblidhja plehrat. Në 8 Jorgua thoshte a ka ndonjë gjë? Tani nuk ndodh më. Ai i ndjeri, që unë nuk e kam dashur fare, meritonte çmimin nobel për astronomi. Me Jorgon jemi kuptuar shumë qartë që nuk ka leje ndërtimi nga ato që tmerrojnë dynjanë.
Roje të Vodafoni unë nuk e vë atë. Falimenton Vodafonin ai. E di që po më dëgjon, po ktheji këto në greqisht tani dhe ankohu, thuaji ja si po diskriminon Rama mua. Nuk e do ky historinë e zgjidhjes së çështjes së pronave. Një zgjidhje keni ju nëse nuk doni t’ju ikin pronat për lesh, mua, PS dhe kandidatin tonë. Unë ju kam thënë këtu që do zgjidh çështjen e pronave e nuk do vinë nga Tirana t’jua marrin. Edhe ata që i kanë marrë letrat, larg qoftë mos bëjnë gabim të votojnë atë tjetrin, do ua marrin prapë.
Këta që kërkojnë votën, veç të tjerave janë në një marrëdhënie turpi, me vendin, me komunitetet, me ata që u kanë vënë emrin, familjet e tyre. Sepse vijnë e kërkojnë votën me prokurën e asaj gërdallës “non grata” në Tiranë. Shqipëria sot nuk ka qenë ndonjëherë më e vlerësuar dhe respektuar sesa sot”, u shpreh Rama.