Ballina Aktualitet Maqedonia e Veriut shqyrton bllokimin e TikTok-ut

Maqedonia e Veriut shqyrton bllokimin e TikTok-ut

Institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë nisur konsultime me ekspertë, në drejtim të marrjes së masave për parandalimin e akteve të dhunës, në shkolla dhe jashtë tyre, raporton REL. Aktivitetet janë intensifikuar, pas vrasjes së tetë nxënësve në një shkollë fillore afër Beogradit, më 3 mars, dhe tetë të tjerëve, dy ditë më vonë në vendbanimin Vraçar të këtij shtet.

Ky aplikacion i formatit me video të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.

Debati kryesor në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet lidhur me kërkesën në rritje për bllokimin e aplikacionit TikTok, për shkak të përmbajtjes së dhunshme në videot e shkurtra që publikohen në të, e që në shumë raste besohet kanë nxitur akte dhune.

Më 27 nëntor të vitit 2022, një vajzë e mitur në Shkup kishte pësuar djegie të rënda nga rryma derisa ishte ngjitur në një vagon treni për të bërë video.

Më 15 prill, një mjek anesteziolog nga Tetova u arrestua pasi kishte publikuar në TikTok një video nga Reparti i Gjinekologjisë, dhe tani përballet me padi për veprat, “punë e pakujdesshme në shërbim” dhe “incizim i paautorizuar”.

Pas ngjarjeve në Serbi, dhe incidenteve tjera në vend, Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar edhe për rritjen e denoncimeve për bullizëm dhe dhunë në shkolla.

“Çdo raport do të hetohet dhe do të merren masat e duhura”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, duke bërë të ditur edhe fillimin e konsultimeve me ekspertë, për mundësitë e kufizimit apo edhe të ndalimit të aplikacionit TikTok.

“Ne fillimisht do të kërkojmë nga institucionet që merren me sigurinë kibernetike, të përgatisin raport në lidhje me atë se çfarë publikohet në këtë platformë, grup-moshat e përdoruesve dhe informata të ngjashme. Deri në përfundimin e këtyre analizave, shqyrtojmë ndalimin e përkohshëm të TikTok-ut, dhe pastaj, nëse është e nevojshme, edhe ndalimin e plotë”, thuhet në njoftimin e dikasterit të arsimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka konfirmuar, gjithashtu, takimet mes institucioneve për marrjen e masave konkrete.

“Edhe para ngjarjeve që ndodhën në Serbi, ne kishim iniciuar koordinimin e aktiviteteve mes ministrive të Arsimit, të Punës dhe Politikës Sociale dhe të Punëve të Brendshme, për hartimin e masave për parandalimin e akteve të dhunës. Por, një rol shumë të madh këtu duhet të ketë familja në edukimin e fëmijëve, dhe së bashku me institucionet të sigurohemi se po rrisim një shoqëri të shëndoshë. Kemi propozime për ndalimin e rrjeteve të caktuara sociale, e masa tjera, dhe asnjëri prej tyre nuk duhet të përjashtohet, por paraprakisht të kemi një debat të gjerë dhe vendimet të mos i marrim të nxituar nga emocionet, por me mirëkuptim”, ka deklaruar Spasovski.

Nga Unioni i Shkollave të Mesme thonë se “siguria në shkolla nuk është në nivelin e duhur”, andaj kërkojnë masa për parandalimin e incidenteve, por sa i përket ndalimit të aplikacionit TikTok, Unioni ka rezerva, pasi beson se qasja në këtë aplikacion mund të bëhet përmes adresave tjera të internetit.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se ndalimi është i mundur, qoftë nga kompanitë e internetit, apo edhe nga vetë shteti, përmes bllokadave të ndryshme.

“Kjo mund të bëhet në dy mënyra, njëra mund të ndodhë nëpërmjet ofruesve të internetit, me të cilët Qeveria mund të bëjë një marrëveshje, apo të vendosë një bashkëpunim që të ndërpritet qasja në cilindo rrjet social, kështu që njerëzit nuk do të ketë qasje në TikTok, që është aktual tani te ne, por edhe në vende tjera. Mënyra tjetër është kur shteti bën ndalesë të adresave të caktuara, dhe kjo formë nuk kërkon bashkëpunim me ofruesit e internetit, por vetë shteti mund të vendosë bllokada të një adrese të caktuar”, thotë Lokman Musliu.

Megjithatë, sipas tij, këto masa nuk janë plotësisht të sigurta, pasi qasja në rrjetet sociale mund të bëhet edhe në mënyra tjera, përmes ndryshimit të adresës së internetit, si dhe serverëve VPN-rrjetit virtual privat.

Nisma e institucioneve për të shqyrtuar mundësinë e kufizimit, apo edhe të mbylljes së aplikacionit TikTok duhet mbështetur, thotë Fejzi Hajdari, botues i gazetës Lajm.

Ai thotë se “ky aplikacion nuk mund të quhet media, por promovues i dhunës dhe marrëzirave tjera”.

“Mbyllja e TikTok-ut në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si kufizim i fjalës së lirë, sepse ky aplikacion nuk është media, apo nuk krijon hapësirë informative te subjekte të caktuara, që do të shpalosnin ide dhe lajme, por përkundrazi hapësirë në rrjetet ku promovohen lloj-lloj gjërash, hapësirë ku shpesh promovohet dhunë dhe marrëzira tjera. Mendoj se reduktimi i përdorimit apo ndalimi i TikTok-ut, duhet të përshëndetet dhe mbështetet”, thotë Hajdari.

Ndryshe, këto reagime dhe nisma nga institucionet erdhën pasi në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua.

Para pak javësh Maqedonia e Veriut u përball me një skandal të madh “TikToku” ku një mjek anesteziolog incizoi drejtpërdrejt gratë në sallën e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës. I njëjti është në paraburgim. Ndërsa një vajzë në moshë të re vdiq nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik. Alarmi  para disa muajve u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.

Portalb.mk para dy javësh trajtoi edhe përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend. Sipas ekspertëve, depresioni dhe anksioziteti i të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale