Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni po shijon disa ditë pushime në Vlorë, me ftesë të kryeministrit Edi Rama. Pas videove që u publikuan nga udhëtimi i saj me skaf, Meloni është fotografuar pasditen e sotme duke pirë kafe me kryeministrin Rama në një prej kafeve në jug të vendit. Në videon e ndarë nga Top Channel, vihet re se Rama dhe Meloni po shoqërohen nga një grup personash, mes tyre edhe ambasadori italian Fabrizio Bucci.
Kryeministrja e Italisë mbërriti më 14 gusht 2023 në Vlorë, me një traget linje, bashkë me familjen. Ajo ndërpreu pushimet e saj në Pulia, në një fermë pranë Ceglie Messapica dhe u nis për në Shqipëri, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Ramës, i cili pak ditë më parë tha për mediat italiane se e ka ftuar kryeministren italiane që të pushojë në Shqipëri. Madje Rama e konsideroi si motrën e re të Shqipërisë.
Vizita e Melonit në Vlorë, vjen në një moment kur mediat italiane i kanë kushtuar shumë artikuj turizmit në vendin tonë, ndërsa këtë vit shumë italianë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri Kreu i qeverisë ka bërë me dije se po arrihet shifra rreth 500 mijë italianë që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit.