Në një kohë mospajtimesh të thella, votuesit amerikanë pajtohen për një gjë: Presidenti Joe Biden është shumë i moshuar për të qenë efektiv në një mandat të dytë. Ish Presidenti Donald Trump, kandidati kryesor republikan për president, në mënyrë befasuese nuk nxit shqetësime të ngjashme për moshën e tij, ndonëse ka vetëm disa vjet diferencë mes tyre.
Por votuesit kanë shumë shqetësime rreth zotit Trump lidhur me aktpaditë penale ndaj tij. Megjithëse ai është 77 vjeç, të anketuarit mendojnë se ish-presidenti duhet të bëhet më i pjekur.
Një anketë e re nga The Associated Press dhe Qendra NORC, arriti në përfundimin se pjesa më e madhe e publikut është e bashkuar lidhur me moshën e zotit Biden, një faktor që ai nuk mund ta ndryshojë.
Presidenti Biden vetë e ka përmendur çështjen e moshës, duke bërë shaka, me sa duket për të qetësuar publikun në këtë drejtim.
Në anketë, 77% të votuesve thanë se zoti Biden është shumë i moshuar për të qenë efektiv në katër vitet e ardhshme. Këtë mendim e ndajnë 89 për qind të votuesve republikanë dhe 69 për qind e votuesve demokratë. Këtë mendim e ndajnë të gjitha grupmoshat, jo vetëm votuesit e rinj, ndonëse demokratët më të moshuar e mbështesin në përgjithësi kandidimin e tij për zgjedhjet e vitit 2024.
Në dallim nga mendimet për moshën e zotit Biden, vetëm gati gjysma e amerikanëve e konsideron zotin Trump shumë të moshuar për pozitën e presidentit. Por, përsa i takon moshës së zotit Trump, demokratët dhe republikanët dallojnë në qëndrime – janë demokratët në përgjithësi që e shohin moshën e zotit Trump, si element diskualifikues dhe jo republikanët.
Në përgjithësi, votuesit demokratë, republikanë dhe të pavarurit, janë në favor të vendosjes së një kufiri për moshën e presidentit, anëtarëve të Kongresit dhe atyre të Gjykatës së Lartë. Rreth dy-të-tretat e amerikanëve mbështesin një kufi moshe për presidentin dhe Kongresin, dhe të një moshe të caktuar pensioni për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Anketa supozon se shumë votues nga i gjithë spektri politik, janë të hapur ndaj fytyrave të reja në politikë.
Mes tyre është votuesi Noah Burden, një konsulent 28 vjeçar i komunikimit nga Virgjinia. Ndonëse mbështet zotin Biden para zotit Trump, ai do të kishte dëshirë që kandidatët kryesorë për president të ishin më pranë gjeneratës së tij.
“Përgjithësisht, janë shumë të moshuar,” tha zoti Burden. Gjenerata më e vjetër përfaqëson “një sërë vlerash, një pikëpamje për shtetin dhe botën, që nuk qëndron më.”
Edhe Greg Pack, një 62 vjeçar, votues për zotin Trump në të kaluarën dhe me shumë gjasa edhe në zgjedhjet e ardhshme, nga Oklahoma, do të donte që zoti Biden dhe zoti Trump të hapnin rrugën për të tjerë.
“Mjafton ta shikosh dhe dëgjosh zotin Biden dhe është e qartë vetvetiu që nuk është më siç ka qenë,” thotë zoti Pack, një ndihmësinfermier.
Po zoti Trump? “Ai është shumë më i mprehtë, por në fund të mandatit, kushedi?” thotë zoti Pack, duke iu referuar janarit të vitit 2029. “Jam gati për dikë më të ri.” Ai thotë se është ngopur me një njeri “që përqëndrohet vetëm te vetja” dhe që i “paraqet paditë penale sikur të ishin medalje nderi,” por nëse ky kandidat do ta mundë zotit Biden, atëherë ai është i gatshëm ta përkrahë zotin Trump edhe për një mandat.
Si i përshkruajnë amerikanët kandidatët presidencialë?
Në anketë, votuesit amerikanë u pyetën se çfarë fjale u vjen në mend kur përmendin emrat e kandidatëve kryesorë presidencialë.
Rreth 26 për qind e të anketuarve përmenden moshën e zotit Biden, dhe 15 për qind të tjerë përdorën fjalë si “i mefshtë” apo “i hutuar”. Në mesin e demokratëve, 28% e përmenden moshën e zotit Biden.
Vetëm 3% e të anketuarve e cilësuan zotin Trump si “të hutuar”, ndërkohë vetëm 1 për qind e përdorën fjalën “i moshuar”. Fjalët kryesore me të cilat votuesit përshkruan zotin Trump ishin “i korruptuar,” apo “mashtrues” (15%), “i keq” apo fjalë të ngjajshme negative (11%), ose fjalë si “gënjeshtar” apo “i pandershëm” (8%). Ndërkohë, 8 për qind e të anketuarve e përshkruan si “të mirë” dhe me cilësime të tjera pozitive.
Por, pse ekziston ky dallim në pikëpamjet e publikut rreth moshës së dy kandidatëve?
“Zoti Biden duhet shumë i komprometuar nga sëmundjet që lidhen me moshën,” zoti Eric Dezenhall, një konsulent 60 vjeçar, që ndihmon korporatat të menaxhojnë skandale, dhe ka përcjellë karrierën e zotit Trump dhe ka punuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së ish presidentit Ronald Regan. “Edhe ata që e përkrahin e shohin si të brishtë.”
“Cilatdo qofshin anët negative të zotit Trump, shumica e njerëzve nuk i shohin si të shkaktuara nga mosha,” thotë ai. “Në fakt, sa më shumë që e godet, ai bëhet më shumë si një fëmijë i acaruar. Shqetësuese, patjetër, por mosha e shtyrë? Jo domosdoshmërisht. Zoti Trump ka mbajtur këto qëndrime gjatë 8 dekadave, dhe kjo gjë e shtyn gjithmonë përpara.”
31 vjeçarit Diego Saldana, i duken të njohura ngatërrimet e fjalëve apo vështirësitë në të ecur të zotit Biden.
“I shoh të gjitha simptomat që kishte gjyshi im,” thotë ai, duke iu referuar gjyshit të tij 94 vjeçar. “Nuk mund ta qeverisësh një vend” në atë mënyrë, thotë ai. Zoti Saldana mbështet zotin Trump megjithë rezervat që ka për akuzat ndaj tij.
Eric Colwell, një menaxher auditimi 34 vjeçar, nga Sakramento e Kalifornisë, e përshkroi zotin Biden si “të moshuar” dhe zotin Trump si “jo të aftë”. Si i pavarur që anon nga demokratët, ai tha se ndihet pak i turpëruar që Shtetet e Bashkuara nuk mund të ofrojnë kandidatë më të mirë.
“Është çështje imazhi,” thotë ai. “Zotërinj të moshuar. Nga aspekti vizual, dëshiron që udhëheqësit të jenë energjetikë dhe të shkathët. Ne nuk po ia dalim.”
Alyssa Baggio, një 32 vjeçare e pavarur, që anon nga demokratët, në Vankuver të Uashingtonit, thotë se zoti Biden ishte shumë i moshuar për president edhe para se të fillonte mandatin. Tani është e bindur dhe e hapur që të votojë për një kandidat tjetër – por jo zotin Trump – në zgjedhjet e radhës.
“Nuk mendoj se ka punuar keq gjatë këtij mandati,” thotë ajo për zotin Biden, “por më duket se ky është rezultat i faktit që ai, në dallim nga zoti Trump, e rrethon veten me njerëz me më përvojë dhe më të logjikshëm.”/VOA