Laboratori, Royal Mint pranë Cardiff, Uellsi i Jugut, një vend që është i njohur botërisht për prodhimin e miliarda monedhave për më shumë se 30 kombe, ka zhvilluar një mënyrë të re deri tani të panjohur për të rikuperuar metale të çmuara nga mbetjet elektronike.
Hayley Messenger, një kimiste e specializuar në metale të çmuara të qëndrueshme, dhe një ekip kimistësh dhe analistësh kimikë, së bashku me kompaninë fillestare kanadeze Excir, kanë shpikur dhe patentuar një mënyrë të pastër dhe efikase në energji, e cila sipas tyre nxjerr 99% të arit nga bordet e qarkut që gjenden brenda laptopëve të hedhur poshtë dhe telefonave celularë të vjetër.
Ndërkohë Royal Mint po hap një fabrikë të re shumë milionëshe e cila do të jetë në gjendje të përpunojë 90 ton pllaka qarku në javë dhe pasi të jetë plotësisht funksionale fabrika do të mund të rikuperojë qindra kilogramë ar çdo vit nga mbetjet elektronike.
Teknologjia e patentuar e Excir, bazohet në kiminë revolucionare dhe rikuperon 99%+ të arit nga mbeturinat elektronike, të përfshira në tabelat e qarkut të laptopëve dhe telefonave celularë të hedhur poshtë. Përmes reaksionit kimik nxirren në mënyrë selektive metale të çmuara nga tabelat e qarkut të cilat vihen në proces “vlimi” dhe kur përzierja ndriçuese fillon të vlojë, vidhoset kapaku dhe më pas masa vendoset në një makinë rrotulluese për të tundur përmbajtjen. Në vetëm katër minuta, çdo pjesë ari shpërbëhet dhe derdhet në lëng.
“E gjithë kjo ndodh në temperaturën e dhomës dhe është shumë e shpejtë,” thotë Hayley Messenger, e cila shpjegon se kjo zgjidhje kimike ripërdoret deri në 20 herë, me përqendrimin e arit të tretur që rritet çdo herë që përmbajtja tundet.
Kur shtohet një lëndë tjetër që prodhuesit e mbajnë “top sekret”, ari i lëngshëm bëhet përsëri metal i fortë. Ky pluhur filtrohet dhe shkrihet në një furrë në copa me madhësi si miniaturë. Këto copa mund të bëhen më pas varëse, vathë dhe çfarëdo që keni dëshirë ta derdhni në ar.
Mbeturinat që “fshehin” metale të çmuara
E-mbeturinat (e njohur edhe si mbeturinat e pajisjeve elektrike dhe elektronike ose WEEE) janë mbeturinat me rritjen më të shpejtë në botë . Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, rreth 50 milionë tonë mbeturina elektronike prodhohen çdo vit në mbarë botën, duke peshuar më shumë se të gjithë avionët komercialë të prodhuar ndonjëherë. Por vetëm 20% e tyre riciklohen zyrtarisht dhe shumica hidhen dhe dërgohen në landfill ose digjen. Vitin e kaluar një studim nga shërbimi i krahasimit të çmimeve USwitch zbuloi se Norvegjia e para dhe Britania e Madhe e dyta prodhojnë sasinë më të madhe të mbetjeve elektronike për person.
Ndërsa kërkesa për më shumë pajisje portative dhe elektronikë po rritet me shpejtësi, po ashtu rritet edhe mali i mbetjeve elektronike.
Forumi Ekonomik Botëror vlerësoi se deri në vitin 2050, prodhimi vjetor i mbetjeve elektronike do të dyfishohet në 120 milionë tonë. Ashtu si të gjitha lëndët e para që janë në krizë, ari është një burim i kufizuar, megjithatë 7% e arit në botë që aktualisht ndodhet në pajisjet elektronike është i pashfrytëzuar.
Mark Loveridge, drejtor tregtar në Royal Mint thotë se zhvillimi i zinxhirëve të furnizimit të mbetjeve elektronike rreth impianteve të riciklimit do të ulte në mënyrë dramatike tonelata mbeturina elektronike të hedhura kudo. Royal Mint tashmë është në bisedime me partnerë në mbarë botën me ambicie për ta globalizuar këtë teknologji që riciklon këto mbetje për t’i kthyer në metale të çmuara.
Kate Hinton, drejtuese e marrëdhënieve me jashtë në Material Focus, organizata jofitimprurëse që qëndron pas fushatës “Ricikloni pajisjet tuaja elektrike”, thekson se tashmë familjet në Mbretërinë e Bashkuar po grumbullojnë 527 milionë pajisje të vogla të vjetra elektrike, duke përfshirë 31 milionë laptopë të vjetër, që peshojnë rreth 190,000 tonë . Në SHBA, telefonat celularë që përmbajnë ar dhe argjend me vlerë 60 milion dollarë (47 milion £) hidhen çdo vit.
Një raport i vitit 2022 nga Laboratori Kombëtar Lawrence Berkeley llogariti se më shumë se një miliard pajisje elektronike mund të hidhen çdo vit në SHBA. Pas një dekadë nga tani këto pajisje elektronike mund të kthehen në një burim ari, afërsisht sa gjysma e sasisë që aktualisht nxirret në këtë vend sot.
Tashmë, ari i ricikluar ka hyrë edhe në disa argjendari. Argjendari Ring Bear me bazë në SHBA po punon me ar të ricikluar nga mbetjet elektronike. Kompania Pandora ka vendosur një objektiv; të përdorë vetëm arin dhe argjendin e ricikluar duke filluar nga viti 2025-së.
Për Lojërat Olimpike të Tokios, metali që u nxor nga gjashtë milionë telefona celularë dhe pothuajse 72,000 tonë mbeturina elektronike u përdor për të bërë 5,000 medalje ari, argjendi dhe bronzi.