Ballina Aktualitet U arrit zgjidhje për nxënësit e Velesit, gjimnazi “Koço Racin” do të...

U arrit zgjidhje për nxënësit e Velesit, gjimnazi “Koço Racin” do të ketë dy paralele në gjuhën shqipe

Dy paralele në gjuhën shqipe në gjimnazin “Koço Racin” të Velesit do të mbeten të hapura. Në të do të pranohen nxënësit e tjerë të cilët kanë mbi 50 pikë, e të tjerët që nuk plotësojë pikët ligjore do të duhet të regjistrohen në shkollën ekonomik në paralelen shqipe, pohon drejtori i Inspektoratit për Arsim, Halit Ferati, i cili pret që i gjithë ky proces të përfundojë sa më shpejt me qëllim që mos të zvarritet edhe më tepër procesi arsimor i fëmijëve, raporton TV 21.

“Besoj se nuk do të ketë problem nga ana e prindërve pasi që të gjithë i njoh unë dhe do të takohem personalisht me gjithë ata prindër për arsye se në disa procedura administrative ligjore duhet të jemi të kujdesshëm për arsyen se në atë shkollë ndjekin mësimin edhe nxënës maqedonas edhe shqiptarë. Në bazë të inspektimeve në atë shkollë nuk e konstatuam një nxënës të palës tjetër që është i pranuar jashtë normave ligjore”, deklaroi Halit Ferati, drejtor i Inspektoratit të Arsimit.

Nxënësit shqiptarë në Veles, ditën e djeshme kanë protestuar para gjimnazit “Koço Racin”, pasi nuk pranohen në shkollë, përshkak të pikëve të ulëta gjatë konkursit pranues, ndërkohë që arsimi në vend është i detyrueshëm. Nxënësit dhe prindërit thonë se ata janë detyruar të nënshkruajn për siç thonë mos-përmbushjen e pikëve dhe janë nxjerrë prej shkolle nga sigurimi. Ata konsiderojn se ky është diskriminim i pastër.

“Nuk na kanë pranuar, na kanë thënë që s’i keni nga 60 pikë. Na kanë dhënë të nënshkruajm diçka dhe na kanë nxjerrë me polici nga shkolla”, tha njëri nxënës.

Një prind i një nxënësi që poashtu nuk është pranuar për numër shumë të vogël pikësh shprehet se nxënësit janë nxjerrë jashtë dhe se për këtë duhet të ketë qenë në dijeni edhe drejtori.

“I kanë nxjerrë jashtë, nuk i kanë lënë brenda me hy. Ju kanë dhënë të nënshkruajn se nuk i plotësojnë pikët për pranim. Ky është diskriminim. Ministri i arsimit duhet të marrë masa për rastin”, thotë një prind.

Nga ana tjetër ministri i Arsimit Jeton Shaqiri përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se rasti në fjalë tashmë është zgjidhur dhe se Inspektorati Shtetëror i Arsimit është në terren dhe dy paralelet në SHMK “Koço Racin” në Veles, “që i pengojnë dikujt do të vazhdojnë të funksionojnë”.

“Mësimi në gjuhën amtare është e drejtë kushtetuese të cilën askush nuk mund ta mohoj. Nëse është faj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i mundëson secilit mësim në gjuhën amtare, me punë intensive secilit nxënës po i ndërton shkollë në lagjen ku jeton atëherë, unë dhe kabineti im jemi fajtor”, thuhet në reagimin e ministrit. 

Kujtojmë se ditë më parë, Këshilli i Komunës së Velesit votoi kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për themelimin e dy paraleleve shtesë në gjimnazin “Koço Racin”, nga një në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Më saktësisht, sipas konkursit të shpallur para disa muajsh dhe në të cilin ishin përcaktuar qartë kriteret dhe sipas numrit të nxënësve të regjistruar për regjistrim në vitin e parë, këshilltarët vendosën që numri i paraleleve në shkollën e mesme të jetë katër në maqedonisht dhe një në shqip.

@tn.lajmelokale
@tetovanews